Policia e Vlorës: Do të sekuestrojmë pasurinë e ‘Habilajve’: ‘Babica’ vijon

21.10.2017 11:57:52

Drejtori i policisë së Vlorës në një deklaratë për mediat ka bërë me dije se Operacioni për identifikimin dhe kapjen e pjesëtarëve të bandës së Babicës, gjetjen dhe sekuestrimin e lëndës narkotike që mund të jetë fshehur nga kjo bandë është në vijim.

Policia e Vlorës ka referuar në Prokurori, materialet në ngarkim të vëllezërve Habilaj, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.

“Në vijim të Mega – Operacionit “Banda e Babicës”, të zhvilluar nga Policia e Vlorës nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë dhe mbështetjen e Repartit Delta Forcë, ku u sekuestrua 4 ton Cannabis Sativa, armë gjahu, municion luftarak, mjet lundrues dhe u arrestuan dy shtetas, ju informojmë se policia e Vlorës në sinkronizim të plotë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka vijuar kontrollet në disa objekte dhe prona në pronësi të vëllezërve Habilaj, për kapjen e pjesëtarëve të kësaj bande, por edhe sekuestrim të lëndës narkotike, pasi dyshohej se në këto objekte mund të kishte sasi të lëndës narkotike të fshehur.

Policia e Vlorës ka vijuar punën për identifikimin dhe sekuestrimin e aseteve dhe pasurive që rrjedhin nga kjo veprimtari kriminale ku ka referuar në Prokurori materialet në ngarkim të vëllezërve Habilaj, për veprën penale të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, për 3 aktivitete biznesi, 5 automjete dhe një mjet lundrues.

Po në këtë kuadër po bashkëpunohet me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave për evidentimin dhe bllokimin e llogarive bankare të këtij grupi kriminal.

Në lidhje me aktivitetin kriminal të këtij grupi theksojmë edhe njëherë faktin se Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë në datën 30 Prill 2017 ka referuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda materialet procedurale për grupin kriminal të njohur si “Habilaj”, pas informacioneve të siguruara për aktivitetin kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve”, sqaron polcia.