Policia jep detaje për aksidentin në magjistralen Prishtinë – Gjilan

25.09.2019 20:56:22

Katër persona kanë mbetur të lënduar në një aksident trafiku që ka ndodhur në magjistralen Prishtinë-Gjilan, më saktësisht në Kishnicë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Daut Hoxha ka thënë për Telegrafin se në aksident kanë qenë të përfshira tri automjete.

“Është raportuar se sot rreth orës 17:40 në Kishnicë në rrugën Prishtinë-Gjilan, është shkaktuar një aksident trafiku ku janë përfshirë tri automjete dhe katër persona kanë marrë lëndime trupore, njëri nga ta me lëndime më të rënda. Të lënduar janë përcjellë për trajtim mjekësor”, ka thënë ai.

Hoxha ka bërë të ditur se për shkak të aksidentit, rruga nacionale Prishtinë-Gjilan dhe anasjelltas është bllokuar deri në përfundim dhe vend-shikim dhe përfundimit të procedurave të nevojshme në vendin e aksidentit.

Zëdhënësi Hoxha bëri apel tek të gjithë drejtuesit e automjeteve që të kenë kujdes gjatë vozitjes, dhe shpejtësinë e lëvizjeve së automjeteve ta përshtatin me kushtet dhe rrethanat në rrugë në mënyrë që të shmangen aksidentet e tilla.