Policia jep detaje për incidentin ku dyshohet se Sami Kurteshi e shtyu zyrtarin e KQZ-së që nuk kishte vendosur maskë

26.08.2021 09:27:49

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për incidentin e djeshëm në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku dyshohet se një zyrtar i këtij institucioni është sulmuar për shkak të mos mbajtjes së maskës, nga anëtari i KQZ-së nga LVV-ja, Sami Kurteshi.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ishte raportuar rreth orës 12:20.

Viktima siç thuhet në raport është shtyrë dhe larguar nga korridori nga i dyshuari pasi nuk kishte vendosur maskë.

“Rr. Migjeni, Prishtinë 25.08.2021 – 12:20. Viktima mashkull kosovar ka deklaruar se, në korridor të objektit është shtyrë dhe larguar nga korridori nga i dyshuari mashkull kosovar për shkak se viktima nuk e kishte maskën”, thuhet në raport.

Po ashtu, lidhur me rastin janë intervistuar dy dëshmitar rasti.

“Është njoftuar prokurori, ndërsa rasti vazhdon të hetohet”, thuhet tutje në raport.