Policia jep detaje për vdekjen e dy personave në Babimovc të Obiliqit

09.01.2018 13:35:15

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se mbrëmë rreth orës 21:00, kanë pranuar informatën se në fshatin Babimovc të Obiliqit, saktësisht  në një shtëpi gjenden dy trupa të pajetë.

Policia bën të ditur se bazuar në hetimin preliminar të kryer (nga Prokuroria, hetuesit rajonal dhe krimteknika si dhe deklaratat e dëshmitarëve) është ngritur versioni  se fillimisht G. M. është ngulfatur me një litar nga bashkëshorti i saj (B. M.) dhe më pas  ky i fundit dyshohet  se ka kryer vetëvrasje me armë të ftohtë (thikë), e cila edhe është gjetur në afërsi të tij.

“Menjëherë pas marrjes së informatës në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet  e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes, me ç’ rast ka hasur viktimat  G.M  50 vjeçe, femër B. M.  55  vjeç, mashkull, shtetas të Republikës së Kosovës. Vdekjen e viktimave  e ka konstatuar ekipi mjekësor në vend ngjarje dhe me urdhër të Prokurorit të shtetit trupat e pajetë janë dërguar për autopsi”, thuhet në reagim.

Hetuesit rajonal për hetimin e krimit së bashku me hetuesit policor të stacionit të Obiliqit në koordinim me prokurorinë përkatëse, me një intensitet të shtuar menjëherë kanë filluar ndërmarrjen e një varg  veprimesh hetimore dhe po bëjnë  përpjekje për  të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin.

Polica thekson se në vendin e ngjarjes  janë intervistuar dëshmitarët, testuar të gjitha dritaret të cilat kanë qenë të mbyllura, dera e shtëpisë ka qenë e mbyllur, dhe supozohet se nuk ka pasur hyrje të dhunshme në shtëpi, deri në momentin e hyrjes nga dëshmitarit.

Vlen të theksohet fakti se nga informacionet fillestare qe posedon policia ekziston dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari vuante nga probleme psikike për një periudhë të gjatë.

Ky version mund të përforcohet apo të ndryshoj pas autopsisë, ekzaminimit të dëshmive të marra nga vendi i ngjarjes, dhe rezultatit të hetimeve që po zhvillohen.