Policia me masa të reja në Pejë ndaj veturave të parkuara në vendet e ndaluara

23.12.2019 18:29:37

Policia e Pejës do të konfiskojë të gjitha automjetet e parkuara në vendet e ndaluara në këtë qytet, pasi komuna ka arritur sot marrëveshje me një kompani për kamionin tërheqës.

Në një njoftim për media, thuhet se tërheqja e automjeteve që janë të parkuara në vende të ndaluara do të nisë nga dita e sotme dhe ajo ka për qëllim ngritjen e nivelit sigurisë dhe parandalimit të aksidenteve, ruajtjen e jetës së qytetarëve, parandalimin e të gjitha llojeve të aksidenteve, në veçanti të atyre me pasoja fatale.

Policia sqaron se gjatë kontrolleve në rrugë është edhe mundësia e vendosjes së bllokuesve në automjete në rastet kur tërheqja me kamion tërheqës nuk është e nevojshme

Për më tepër, policia ka sqaruar edhe gjithë procedurën pas vlerësimit të zyrtarit policor se është e nevojshme vendosja e bllokuesve i njëjti të vendoset nga kompania në prezencën e zyrtarit policor

Personi përgjegjës i kompanisë që e vendos bllokuesin po ashtu e vendos edhe një letër në xhamin e veturës në të cilin janë numrat e kompanisë të cilin numër kundërvajtësi e thërret kompaninë dhe pastaj personi përgjegjës i kompanisë vjen dhe e zhbllokon veturën pasi që kundërvajtësi i kryen obligimet (pagesat) ndaj kompanisë.

Gjatë zhbllokimit të veturës prezent duhet të jetë edhe zyrtari policor i cili i shqipton tiketën për kundërvajtje, pra edhe zhbllokimi i veturës bëhet në prezencën e zyrtarit policor.

Kundërvajtësit nuk i lirohet vetura derisa t’i kryejë obligimet (pagesat) ndaj kompanisë për tërheqje, kurse sa i përket pagës së tiketës lëshuar nga policia procedurat dihen se si rrjedhin.

Dëmtimi i bllokuesve nga kundërvajtësit, është vepër e dënueshme e cila kushton dhe duhet paguar kompanisë, thuhet në njoftimin e Policisë rajonale në Pejë.