Policia sqaron gjithçka për incidentin në “Natën e Muzikës Kurde”

10.02.2018 13:55:05
Qendra Sociale “Sabota” kishte organizuar mbrëmë Natën e Muzikës Kurde, në vazhdën e disa aktiviteteve që ishin mbajtur këtë javë rreth çështjes së kurdëve.

Ky event kishte nisur nga ora 20:00, ndërsa papritur u ndërpre nga Policia rreth orës 22:00. Afro 20 zyrtarë policorë bastisën lokalin e kontrolluan secilin nga pjesëmarrësit.

Policia e Kosovës ka konfirmuar për Express’in se kanë marrë informata se persona të caktuar kanë dashur të pengojnë këtë aktivitet.

Operacioni i bastisjes së mbrëmshme nga ana e Policisë së Kosovës, ka ndodhur për shkak se Qendra Sociale “Sabota” për eventin Nata e Muzikës Kurde, nuk kishte marrë lejen e nevojshme nga ana e institucioneve kompetente. Pos kësaj, policia tha se kanë pasur informacione se persona të caktuar po tentojnë ta ndalojnë këtë aktivitet.

Gazeta Express ka tentuar të flasë me koordinatorin e Qendrës Sociale “Sabota”, por i njëjti nuk është lajmëruar në telefon.

Urdhrin për bastisjen, gjithashtu zëdhënës të PK’së e konfirmojnë se e morën nga Prokurori i Shtetit.

Gjatë bastisjes, policia gjithashtu ka shoqëruar në stacionin policor dy persona. Njërit prej tyre iu është gjetur një thikë dhe tjetri është shoqëruar për shkak se nuk ka pasur mjet identifikimi me vete dhe ka qenë e pamundur të identifikohet personi në vendin e ngjarjes.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënës të Policisë së Kosovës në Rajonin e Prishtinës.

“Mbrëmë rreth orës 19:00 policia ka marrë informacionin për një aktivitet të pa paralajmëruar dhe për të cilin organizatori nuk është pajisur me lejen e nevojshme nga ana e institucioneve kompetente, aktivitet ky i cili është zhvilluar në lagjen Ulpiana në Prishtinë, dhe në të njëjtën kohë ka qenë në kundërshtim me normat e rendit dhe qetësisë publike në zonat urbane”, thotë rajoni i policisë në Prishtinë.

Përveç kësaj, policia thotë se në rrugë operative janë marrë informacione të cilat kanë ngritur bazat e dyshimit se persona të caktuar mund të provojnë të pengojnë në forma të ndryshme zhvillimin e këtij aktiviteti që do të mund të rezultonte me ndonjë incident që mund të prodhonte pasoja.

“Marrë parasysh këto informacione si dhe rrethana të tjera specifike, policia është autorizuar nga ana e prokurorit të shteti që të kryej një bastisje brenda vendit ku është zhvilluar ngjarja si dhe të siguroj një perimetër më të gjerë në atë zonë”, thotë policia.

Policia thotë kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme policore për të parandaluar çfarëdo incidenti eventual.

“…ka ftuar në vendin e ngjarjes edhe inspektorët përkatës për të konfirmuar validitetin e organizatorit respektivisht Qendrës Sociale ‘Sabota’”, thotë PK.

Nga verifikimet e kryera nga ana e inspektoreve, konfirmohet se qendra nuk është e regjistruar sipas procedurave të nevojshme si dhe nuk poseduan lejen për aktivitetin në fjalë.

Në operacionin e bastisjes, komfor autorizimeve policia ka legjitimuar personat e pranishëm.

“Ndërkohë që policia në perimetrin e jashtëm ka kontrolluar të gjitha lëvizjet dhe ka monitoruar rrjedhën e ngjarjes, ka ndaluar dhe shoqëruar për në stacionin policor dy persona, njëri për shkakun se i është gjetur një mjet i mprehtë (thikë) ndërsa tjetri për shkak se ka dështuar të identifikohet, pra nuk ka pas asnjë dokument identifikimi me vete”, thonë nga Zyra e informimit të Policisë.

Personat e shoqëruar në stacion, aktualisht janë në procedim administrativ dhe policia thotë se po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme preliminare me qëllim të sqarimit dhe ndriçimit të bazave të dyshimit për të cilat këta dy persona janë dërguar në stacionin policor.

Qendra Sociale “Sabota” në lajmërimin e tyre në Facebook për këtë event, ka shkruar se aty do të lëshohet muzikë kurde.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve të kësaj qendre, ditë më parë ishte shfaqur edhe një dokumentar rreth organizimit të jetës në Rojava (Siria Veriore), ku po strehoheshin shumë nga popullata kurde.