Policia: Thaqi as nuk ka kaluar në Serbi, e as s’ka ka qenë i kërkuar

18.10.2016 14:36:09

Zëvendësdrejtori i Policisë, Naim Rexha mohoi se nënkoloneli i policisë, Nehat Thaqi, ka kaluar apo qëndruar në Serbi edhe më parë. Ai tha se kjo bazohet në të dhënat e data-bazës kufitare.

“Sipas kontrollit të sistemit tonë, kemi ardhur në përfundim se asnjëherë Nehat Thaqi, më parë nuk ka shkuar në Serbi”, tha ai.

“Nehat Thaqi nuk ka qenë në asnjë listë të personave të kërkuar nga Serbia, sipas informacioneve të Policisë”, deklaroi tutje ai, duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarëve të komisionit parlamentar për punë të brendshme.

Kryetari i komisionit, Daut Haradinaj sqaroi se ka qenë anëtari i këtij komisioni nga Lista Serbe, Bojan Mitiq, që në mbledhjen e kaluar kishte deklaruar në komision se Nehat Thaqi të paktën dy herë tjera në të shkuarën kishte qëndruar në Serbi, e nuk ishte arrestuar.

Naim Rexha tha se Nehat Thaqi kishte njoftuar pushimin e tij pesë ditorë, dhe ka treguar se do të shkonte në Gjermani, por nuk kishte treguar se nga cila anë do të udhëtonte.