Policia turke arreston nëntë punonjës të medias

10.08.2017 17:44:47

Një redaktor i një gazete kritike ndaj qeverisë është arrestuar sot në Stamboll, së bashku me tetë punonjës të tjerë të mediave gjatë një operacioni të policisë.

Sipas agjencisë shtetërore turke të lajmeve Anadolu Agency, autoritetet kishin marrë urdhër për të arrestuar 35 persona që punonin në media, të dyshuar për mbështetje të klerikut turk me banim në SHBA, Fethullah Gulen.

Qeveria turke ka akuzuar Gulenin për organizimin e grushtit të dështuar të shtetit vitin e kaluar, por ai i ka mohuar këto akuza.

Mes të arrestuarve ishte edhe Burak Ekici, redaktori i gazetës së krahut të majtë “Birgun”.

Rreth 160 gazetarë dhe punonjës të medias aktualisht gjenden të burgosur në Turqi, të akuzuar për një sërë krimesh.

Midis tyre është edhe Deniz Yucel, korrespondenti i gazetës gjermane “Die Welt”, i akuzuar për mbështetje të terrorizmit.