Polluzhë, vdes këmbësori pas goditjes nga një veturë

10.08.2016 13:57:34

Një aksident trafiku me fatalitet është raportuar në orët e mëngjesit të sotëm, saktësisht rreth orës 07:05. Aksidenti ka ndodhur në rrugën rajonale Skenderaj-Drenas, përkatësisht në segmentin rrugor në fshatin Polluzhë, me ç’rast një veturë godet dy këmbësorë, ku si pasojë e lëndimeve të pësuara nga goditja e veturës këmbësori i moshës 40 vjeçar ka mbetur pa shenja jete në vendngjarje, ndërsa i lënduari tjetër i moshës 20 vjeçar, është dërguar në QKU për tretman mjekësor.

Nga hetimet e para të bëra në vendngjarje me prezencë të prokurorit të rastit, nga hetuesit e njësisë së komunikacionit rajonal bëhet e ditur se si shkaktar dyshohet të ketë qenë pakujdesia, mospërshtatja e shpejtësisë së drejtuesit të automjetit me kushtet e rrugës.

Sipas rrethanave të vendit të ngjarjes viktima dhe i lënduari janë goditur nga vetura në zonën e rreth rrotullimit që ndodhet në atë lokacion.

Trupi i pajetë i viktimës, me autorizim të prokurorit, është dërguar për obduksion mjeko-ligjor.

Ndaj të dyshuarit N. L. 43 vjeçar është caktuar masa e ndalimit policor.