Post-protesta, Kryemadhi falënderon pjesëmarrësit dhe policinë

28.01.2018 00:40:46

Reagimi i parë i rëndësishëm nga radhët e opozitës lidhur me protestën e paradites së sotme përpara Kryeministrisë, ka ardhur nga kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi,

Në një postim në Facebook, ajo falënderon “nga thellësia e zemrës çdo shqiptar që ishte sot në protestën e opozitës”.

Mesazhi i falënderimit nga Kryemadhi, mbart edhe një lajmërim të rëndësishëm që përçohet idirekt për protesta të ardhshme të opozitës shqiptare.

“Shpreh mirënjohjen për çdo të moshuar, pensionist, intelektual, punëtor apo student, për çdo njeri që ka humbur shpresën dhe që sot protestoi ndaj narko-shtetit. Falenderoj dhe ata që udhëtuan nga larg për të qenë sot pjesë e protestës, edhe mijëra të tjerë që na përcollën nga media dhe rrjetet sociale dhe që do të jenë me ne në protestat e ardhshme”, shprehet ajo.

Kryemadhi falënderon edhe forcat e rendit, të cilët siç ajo thekson, “edhe pse të urdhëruar nga shefat trafikantë të drogës nuk ranë pre e provokimeve të tyre por kryen detyrën si profesionistë”.

“Le të jetë kjo ditë shenja e nisjes së protestës mbarëpopullore kundër qeverisë së krimit dhe drogës! Të gjithë së bashku do të mundemi ta shporrim nga qeverisja Edi Ramën dhe klikën e tij të hajdutëve! Kjo është protesta jonë, forca jonë dhe rruga e vetme për të rifituar dinjitetin! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët”, thekson Kryemadhi.