Pozita e shqiptarëve në Mal të Zi (1)

Dr.Sci.Veton Zejnullahi

Apstrakt

Shqiptarët e Malit të Zi si pjesë integrale dhe e pandarë e kombit shqiptarë në trojet e veta në Mal të Zi përbëjnë 4.91% të popullatës së gjithmbarshme të këtij shteti. Popullata shqiptare atje karakterizohet me një diasporë të fuqishme kryesisht e vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa pas Luftës së Kosovës shumë qytetarë shqiptar u vendosën në Kosovë në kërkim të një jete më të mirë. Edhe pse të paktë në numër në krahasim me popujt e tjerë, shqiptarët në Mal të Zi kanë luajtur një rol të rëndësishëm në jetën politike dhe në të ardhmen e shtetit. Duhet patjetër konstatuar rëndësinë e votës shqiptare në referendumin e organizuar për shkëputjen e Malit të Zi nga bashkësia shtetërore me Serbinë e cila ishte përcaktuese në arritjen e rezultatit përfundimtarë në dobi të shpalljes së pavarësisë. Shqiptarët ishin nga të parët që formuan subjektet e tyre politike duke ndihmuar kështu që edhe Mali i Zi të bëhet shtet shumëpartiak. Gjatë luftës për çlirimin e Kosovës shqiptarët e Malit të Zi luajtën një rol të jashtëzakonshëm duke filluar që nga financimi, pjesëmarrja direkte në luftë e sidomos në akomodimin e qytetarëve duke i vendosur në shtëpi private si të shqiptarëve të atjeshëm ashtu edhe të boshnjakëve por edhe në ndërtesa tjera si nëpër xhami apo edhe në shtëpi të kulturës. Organizimi politik i shqiptarëve fillon me vendosjen e pluralizmit politik dhe aktualisht veprojnë disa parti politike por edhe Këshilli Nacional i Shqiptarëve.

Fjalët kyçe: Mali i Zi, referendumi, shqiptarët, të drejtat kombëtare, Këshilli nacional

Hyrje

Republika e Malit të Zi pas Luftës së Dytë Botërore ishte pjesë e RSFJ-së, e përbërë nga gjashtë republika dhe dy krahina. Mali i Zi ishte republika më e vogël si për nga teritori ashtu edhe për nga numri i popullatës, por me një pozitë gjeostrategjike mjaft të volitshme sepse mes të tjerash ka dalje edhe në Detin Adriatik. Qysh në fillim të procesit të shkatërrimit të ishJugosllavisë kjo republikë e vogël e federatës jugosllave u bë cak i goditjeve të nacionalistëve serb. Në të ashtuquajturin “Revolucioni Antibirokratik” pas protestave masive në Titograd (Podgorica e sotme) në Janar të vitit 1989 udhëheqësia partiake dhe shtetërore e Malit të Zi dha dorëheqje duke u zëvendësuar me aleatët e Sllobodan Millosheviqit. Pasi që federata jugosllave u shpërbë në Prill të vitit 1992 me pavarësimin e republikave të atëhershme, në federatë mbetën vetëm Serbia dhe Mali i Zi duke shpallur Republikën Federale të Jugosllavisë (RFJ) me 27 Prill 1992. Pas kësaj periudhe edhe pse aleatë të dikurshëm, raportet mes dy republikave filluan të acarohen e sidomos pas ndërhyrjes së NATO-s në luftën e Kosovës. Në vitin 2003, Republika Federale e Jugosllavisë u rikonstituua dhe e ndërroi emrin në Bashkimi Shtetëror i Serbisë dhe Malit të Zi por ky bashkim nuk ishte jetëgjatë dhe u shpërbë me shpalljen e pavarësisë së Malit të Zi me 3 Qershor 2006. Për këtë shkak u organizua referendumi që solli deri te mobilizimi i popujve joserbë të Malit të Zi për një pjesëmarrje masive. Pikërisht në referendumin e mbajtur me 21.05.2006 qytetarët shqiptarë udhëtuan nga Europa, Amerika dhe shumë vende të largëta me qëllimin e vetëm shpalljen e pavarësisë së Malit të Zi. Këtë vlerë të votës shqiptare e rrit fakti se Bashkësia Ndërkombëtare kërkoi nga Mali i Zi që për pavarësi të deklarohen jo 51% si zakonisht, por 55% të qytetarëve. Rezultatet e dëshmojnë rëndësinë e votës shqiptare, sepse në fund doli që 55.5% e qytetarëve të Malit të Zi u deklaruan për pavarësinë e vendit të tyre. Shiquar nëpër komuna ku jetojnë shqiptarët vërejmë një dalje masive dhe një rezultat të thellë në favor të pavarësisë si psh.Ulqin 88.50%, Plavë 78.92%, Rozhajë 91.33% (http://www.osce.org/sr/odihr/elections/montenegro/20099?download=true).  Është shumë interesant fakti se gjatë këtij referendumi faktori politik shqiptarë u bashkua dhe veproi në interes të shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi, madje duke qenë deçiziv në rezultatin përfundimtarë, por që në të kundërtën asnjëherë nuk arriti të bashkohet dhe të paraqitet unik dhe me një listë të përbashkët për zgjedhjet nacionale dhe që rrjedhimisht do të sillte numër më të madhë të deputetëve shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi.

Harta e Malit të Zi (http://www.cgautentik.com/index_o_crnoj_gori.php)

Qëllimi i punimit

Qëllimi i këtij punimi është që të tregoj gjendjen e shqiptarëve në Mal të Zi duke u fokusuar në aspektin historik, politik, ekonomik, arsimor, shëndetësor, të drejtave kombëtare – simbolet dhe gjuha, informimit, migrimi dhe shumë probleme të tjera me të cilat ballafaqohet popullata shqiptare në këtë Republikë. Gjithashtu, do të potencojmë edhe rolin e Malit të Zi gjatë luftërave që sollën deri te shpërbërja e federatës jugosllave dhe për procesin e pavarësimit të Malit të Zi dhe rolit të shqiptarëve në këtë proces. Shiquar nga aspekti historik Mali i Zi ka një histori të bujshme duke filluar që nga antika kur ishte teritor ilir e deri te sundimi i perandorisë osmane kur shekuj me rradhë bënte pjesë në Vilajetin e Shkodrës që në vete kishte katër kaza shqiptare dhe një malazeze e deri te Traktati i Shën Stefanit i vitit 1878 dhe Kongresi i Berlinit i po atij viti kur u njoft si shtet sllav. Falë Traktatit të Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit Malit të Zi iu shtuan me mijëra kilometra katrorë duke përfshirë shumë toka shqiptare që edhe sot janë pjesë e Malit të Zi.Ulqini, Tivari, Tuzi, Hoti, Gruda, Rozhaja janë vetëm disa nga tokat shqiptare që iu dhanë Malit të Zi. Në përgjithësi me Traktatin e Shën Stefanit Malit të Zi do t’i jepej një teritor prej 15.700 km2 ( Puto, Arben,Cështja shqiptare në aktet ndërkombëtare të periudhës së imperializmit (1867-1912), vëllimi I, Tiranë 1984, f.16), dhe përfshinte një territor trefish më të madh, por të cilin do ta revidojë Traktati i Berlinit nga i cili iu dha një sipërfaqe prej 9.100 km2 ( Po aty,f.16).

Harta e vilajeteve shqiptare (http://www.pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=1027)

Zhvillimet politike në vitet e nëntëdhjeta të shekullit XX

Pas shembjes së komunizmit dhe vendosjes së pluralizmit politik në gjithë Europën Lindore edhe ish-Jugosllavia e rrjedhimisht edhe Mali i Zi u përfshi në këtë valë të madhe të ndryshimeve duke kaluar nga sistemi njëpartiak i organizimit shtetëror në atë të demokracisë parlamentare pluraliste. Shqiptarët ishin nga të parët që formuan partitë e tyre politike fillimisht me Lidhjen Demokratike të Malit të Zi e më vonë u pasurua edhe me parti të tjera politike.Përndryshe gjatë këtyre dy dekadave të jetës plurale në Mal të Zi janë formuar mbi njëqind parti politike por shumica prej tyre kanë qenë jetëshkurta. Mali i Zi si pjesë përbërëse e Republikës Federale të Jugosllavisë së bashku me Serbinë nuk u shmang dot nga luftërat e përgjakshme që sollën deri te shpërbërja e ish-RSFJ-së, aq më tepër që në fillim të luftës në Kroaci shumë vullnetarë malazez u rreshtuan krah për krah me formacionet ushtarake dhe paraushtarake serbe në luftë kundër kroatëve duke pretenduar që të marrin pjesë të teritorit kroat respektivisht pjesën strategjike të quajtur Konavle dhe Prevlaka, si dhe u shquan sidomos gjatë bombardimit të qytetit të Dubrovnikut. Mirëpo, pas largimit të Momir Bullatoviq nga skena politike malazeze, qeveria e Milo Gjukanoviqit u distancua nga luftërat pushtuese duke u koncentruar në përgaditjen e Malit të Zi për shkëputje nga Serbia. Në ndërkohë pozita e shqiptarëve sa vinte dhe keqësohej si pasojë e propagandës antishqiptare të udhëhequr nga Beogradi zyrtar. Me pretekstin e thirrjes në shërbimin ushtarak dhe dërgimin e të rinjëve shqiptarë në frontet e luftës shumë të rinj u detyruan të largohen dhe të vendosen në vende të ndryshme perëndimore dhe në SHBA që në masë të madhe ndikoi në zvoglimin e mëtutjeshëm të numrit të shqiptarëve në Mal të Zi. Gjatë fushatës së sulmeve ajrore të NATO-s kundër Republikës Federale të Jugosllavisë, që për cak sulmi kishte edhe shumë baza detare dhe ajrore të armatës jugosllave të stacionuara në teritorin malazez qeveria e Malit të Zi mbajti një qëndrim konstruktiv duke u distancuar nga qeveria federale dhe duke i dhënë mbështetje opozitës serbe, madje duke bërë edhe strehimin e tyre në Mal të Zi pasi që ishin cak i ndjekjeve të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, siç ndodhi me liderin e demokratëve serb Zoran Gjingjiq i cili disa vite më vonë u zgjodh Kryeministër i Serbisë por që u ekzekutua në një atentat nga nacionalistët serb.

Organizimi politik i shqiptarëve në Mal të

Vendbanimet shqiptare në Mal të Zi (www.malesia.org/wp-content/uploads/2013/06/zonat-shqiptare-mali-i-zi2.jpg)

Pas vendosjes së pluralizmit politik edhe në Malin e Zi, shqiptarët ishin ata ndër të parët që formuan subjektet e tyre politike. Lidhja Demokratike e Malit të Zi është subjekti i parë i formuar shqiptar në Mal të Zi. Aktualisht veprojnë dhjetë parti politike shqiptare: Kjo është lista e partive politike shqiptare bazuar në koalicionet nga zgjedhjet e fundit: Koalicioni “Për Bashkim” ka tre parti politike: Forca e Re Demokratike (FORCA), Partia Inisiativa Qytetare dhe Lëvizja “Perspektiva”. Grupimi tjetër politik “Koalicioni Shqiptar” me tre parti të tjera: Lidhja Demokratike, Partia Demokratike dhe Alternativa Shqiptare. Është edhe partia e kahershme Unioni Demokratik Shqiptar (UDSH), pastaj Aleanca Rinore Shqiptare, ndërsa tash edhe dy partitë e reja: Partia Iniciativa Qytetare Shqiptare (“Partia e Plavës”) dhe Partia Aleanca Shqiptare (“Partia e Gucisë) çka i bie realisht që për çdo 2.000 votues shqiptar ekziston nga një parti politike. Që nga zgjedhjet e para të mbajtura në vitin 1990 e deri në zgjedhjet e fundit shqiptarët gjithmonë kanë qenë të përfaqësuar në Parlamentin Republikan dhe numri i deputetëve variron varësisht nga organizimi i tyre. Numrin më të madh të deputetëve e kanë pasur në zgjedhjet e vitit 1996 me gjithsejt katër deputetë (http://www.pobjeda.me/2012/03/06/visestranacki-zivot-u-crnoj-gori-od-stotinak-partija-prezivjelapetina/#.VApm2PmSydg) . Është me rëndësi të thuhet se shqiptarët vazhdimisht përfshihen edhe në listat e partive nacionale malazeze duke i dhënë kështu edhe karakterin qytetarë këtyre partive bile disa prej tyre edhe kanë arrit që të zgjidhen deputetë. Ky rast i përfaqësimit ndodhë zakonisht me partinë e Kryeministrit Milo Gjukanoviq – Partia Demokratike e Socialistëve ( DPS ).

Ajo që i karakterizon shqiptarët në Mal të Zi ashtu sikurse shqiptarët në Maqedoni dhe Luginë të Preshevës është mosuniteti dhe ndarja nëpër shumë parti të vogla që i shkon për shtati plotësisht pushtetit. Asnjëherë shqiptarët nuk dolën me një listë në zgjedhjet nacionale apo edhe ato lokale në komunat në të cilat rrezikojnë humbjen eventuale. Për më tepër në zgjedhjet e fundit lokale për komunën e Ulqinit partitë shqiptare humbën shumicën nga partia në pushtet DPS dhe sikur mos të ishte presioni i madh i opinionit publik nga qytetarët e atjeshëm si dhe presioni nga Prishtina dhe Tirana për krijimin e një koalicioni paszgjedhor ishte rrezik që e vetmja komunë që udhëhiqet nga shqiptarët të humbej dhe të binte në duart e partive malazeze. /vijon