Pozita e shqiptarëve në Mal të Zi (2)

11.04.2017 17:52:56

Dr.Sci.Veton Zejnullahi

Roli i shqiptarëve të Malit të Zi gjatë luftës së Kosovës

Lufta e UÇK-së për liri dhe pavarësi të Kosovës si një sfidë gjithkombëtare u ndihmua dhe u përkrah në forma të ndryshme nga shqiptarët e Malit të Zi. Shqiptarët e Malit të Zi ishin shumë aktiv në akomodimin e qytetarëve shqiptarë të dëbuar nga forcat serbe sidomos të Rrafshit të Dukagjinit, pastaj pjesëmarrja e drejtëpërdrejtë në luftë e deri te dhënia e donacioneve të shumta në shërbim të luftës. Qyteti i Rozhajës ishte si portë hyrëse për qytetarët e dëbuar të cilët u vendosën në shtëpitë private të shqiptarëve si dhe në objektet fetare dhe kulturore. Me dhjetëra mijëra shqiptarë të Kosovës u vendosën në qytetet shqiptare që nga Rozhaja e deri në Ulqin apo përmes tyre kaluan në Shqipëri. Përveç akomodimit të qytetarëve u bë edhe furnizimi me ushqime dhe barëra për ushtarët e UÇK-së të Zonës Operative të Dukagjinit që ishin të vendosur në Bjeshkët e Rugovës e në shumë raste edhe transferimi i ushtarëve të plagosur dhe trajtimi i tyre mjekësor nëpër shtëpitë e shqiptarëve. Duhet patjetër të ceket fakti që asnjë institucion nga Kosova nuk e pa të arsyeshme që së paku të shpreh një falenderim publik për shqiptarët e Malit të Zi për kontributin e dhënë gjatë luftës për çlirimin e Kosovës ashtu siç veproi me Shqipërinë dhe shqiptarët e Maqedonisë. Vendosja e një pllakë falënderuese në Rozhajë apo Ulqin do të ishte një justifikim për tërë aktivitetin e zhvilluar dhe një mesazh për brezat e ardhshëm duke i dëshmuar që të parët e tyre kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës

Problemet aktuale të shqiptarëve në Mal të Zi

Edhe pas pavarësimit të Malit të Zi qytetarët shqiptar ballafaqohen me probleme të shumta e që janë elementare sa i përket të drejtave kombëtare. Problemi që preokupon është ai i arsimimit të lartë në gjuhën amtare pra mungesa e një Universiteti i cili do ti përmbushte nevojat e tyre me kuadro të reja. Andaj e vetmja mundësi është që të shkollohen në Prishtinë dhe Tiranë. Edhe pas shumë kërkesave akoma nuk është hap asnjë institucion i arsimit të lartë në gjuhën shqipe. Kjo trevë njihet si shumë arsimdashëse dhe argumentohet me atë se shkolla e parë është hap në vitin 1892 në Skje-Krajë (https://vargmal.org/lg/dan2529),  duke u pasuar në vitet në vijim me hapjen e shkollave në viset tjera shqiptare. Përndryshe, nga këto treva është edhe Gjon Buzuku autori i librit të parë shqip “Meshari” në vitin 1555.

Problem tjetër është edhe shëndetësia sepse nuk ekziston asnjë spital i vetëm siç shihet edhe nga lista zyrtare e spitaleve e botuar nga Ministria e Shëndetësisë (http://www.mzdravlja.gov.me/ministarstvo/linkovi), në tërë rajonin përpos një numri të caktuar të ambulancave të cilat asesi nuk i përmbushin nevojat , andaj për çdo problem më serioz shëndetësor qytetarët duhet të bëjnë me dhjetëra kilometra për të marë shërbimet e nevojshme mjekësore. Aspak më e mirë nuk është gjendja e informimit në gjuhën amtare ku përveç disa televizioneve lokale nuk ka ndonjë televizion apo gazetë e cila do të mbulonte tërë teritorin me qëllim informimin sa më të shpejtë dhe më kualitativ të qytetarëve. Qytetarët shqiptarë janë të privuar edhe nga e drejta e përdorimit të simboleve të tyre kombëtare siç është rasti i përdorimit të flamurit kombëtar si dhe përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.Të gjitha dokumentet sot e kësaj dite lëshohen vetëm në gjuhën serbe dhe shqiptarët nuk e gëzojnë asnjë të drejtë në këtë drejtim. Në këtë fushë ndodh edhe diskriminimi më i madh sepse mbiemrave të qytetarëve shqiptar i shtohen prapashtesat sllave – iq dhe viq.

Aktualisht problemi që po e preokupon më së shumti rajonin është migrimi i popullatës i cili ka marrë hov sidomos pas liberalizimit të vizave që BE-ja e vendosi për Malin e Zi. Shkaqet e këtij migrimi janë të shumta duke filluar që nga çështja e sigurisë, pastaj mungesa e perspektivës dhe zhvillimit ekonomik të rajonit ka ndikuar që të rinjtë shqipëtar që shkollohen në Kosovë apo Shqipëri në mungesë perspektive mbeten atje sepse edhe mundësia për punësim është më e madhe. Përveç migrimit në vendet perëndimore dhe SHBA shqiptarët e atjeshëm pas çlirimit të Kosovës kanë filluar të vendosen me familjet e tyre në Kosovë që në masë të madhe po ndikon në zvogëlimin e mëtutjeshëm të numrit të shqiptarëve në Mal të Zi.

Perspektiva e zhvillimit ekonomik

Rajonet shqiptare në Mal të Zi përveç se janë të rëndësishme në aspektin gjeo-strategjik ato janë të pasura me pasuri nëntokësore dhe ofrojnë kushte të volitshme për zhvillimin e ekonomisë. Dega kryesore e ekonomisë është Turizmi. Në viset shqiptare zhvillohet turizmi veror në bregdet në plazhet e Ulqinit si dhe turizmi dimëror në shpatijet e mrekullueshme në afërsi të Rozhajës që me investimet e duhura do të shndërroheshin në vende mjaft tërheqëse për turistët e huaj që e praktikojnë sportin e skijimit. Degë tjetër e rendësishme është edhe bujqësia e sidomos blegtoria sepse kushtet klimatike janë të tilla që mundësojnë zhvillimin e një prodhimtarie mjaft produktive si dhe industrinë e përpunimit të produkteve blegtorale. Karakteristikë e viseve shqiptare në Mal të Zi është edhe prodhimtaria e drurit dhe përpunimit të tij e sidomos ndërtimin e shtëpive prej drurit. I mbetet organeve qeveritare që të investojnë në pyllëzimin e maleve të larta të cilat ofrojnë drunjë të kualitetit të lartë me të vetmin qëllim që kjo zonë të kthehet në një vend industrial për përpunimin e drurit që rrjedhimisht do të gjenerojë edhe vende të reja të punës. Një tjetër degë e rëndësishme është edhe energjetika dhe prodhimi i energjisë me erë si produkt i cili mbështetet dhe favorizohet edhe nga Marrëveshja e Kiotos.Duke ditur se Mali i Zi është vendi i vetëm ekologjik në Botë, kjo formë e prodhimit favorizohet edhe nga vet shteti sepse nuk shkakton ndotje të ambientit.

Konkluza dhe rekomandime

 Shqiptarët duhet të bashkohen në Këshillin Nacional dhe të zgjedhin të gjitha organet e tij duke filluar nga Kuvendi i Këshillit. Roli i Këshillit nacional të jetë si Qeveri në hije dhe do të kishte këto detyra:

 Të hartojë politikat zhvillimore si në ekonomi, politikë, arsim dhe shëndetësi dhe në të gjitha sferat jetësore ku shqiptarët mbesin të papërfaqësuar

 Të përgadis projektin për hapjen e një institucioni të lartë arsimor dhe hapjen e spitaleve të reja

 Themelimi i Agjencionit të lajmeve, Radiotelevizionit dhe gazetës së përditshme me qëllim të informimit të opinionit të mbrendshëm dhe atij të jashtëm

 Të kërkoj nga dy shtetet shqiptare (Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës) që të hap zyrat e Këshillit, përkatësisht në Tiranë dhe Prishtinë me karakter tregtar dhe të promovimit sidomos të turizmit

 Të kërkoj nga Qeveria e Shqipërisë që shqiptarëve të Malit të Zi ti jepet dyshtetësia duke i paisur me pasaporta shqiptare.

 Ta përgadisë projektin për themelimin e Asociacionit të komunave shqiptare( duke përfshirë edhe komunën e Tuzit) që do të mundësonte status të veçantë politik, administrativ, etj, pozitë kjo e cila do të përmirësonte pozitën e shqiptarëve në veçanti në raport me trajtimin e Republikës së Malit të Zi për këtë rajon.

 Të kërkoj nga Qeveria e Kosovës të kushtëzoje vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Malin e Zi me avancimin e të drejtave dhe pozitën kushtetuese të shqiptarëve .

 Të bëjë organizimin e një konference rajonale dhe ndërkombëtare të donatorëve dhe investitorëve të mundshëm të cilët do të mundësonin zhvillimin ekonomik të komunave shqiptare , hap ky i cili do të hapte rrugë zhvillimit të mëtejshëm në të gjitha fushat duke marrë parasysh rëndësinë e zhvillimit ekonomik dhe ndikimin e saj në politikat sektoriale të cilat do të rrisnin numrin të punësuarve si dhe mirëqenien sociale të qytetarëve por që do të ndikonin dhe në kthimin e atyre që janë shpërngul./fund