PPROCEDOHET NË KUVEND PROJEKTLIGJIN PËR MEMORIALIN “ADEM JASHARI”

14.03.2017 12:38:04

Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor procedoi Projektligjin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Deputeti nga PDK Shaip Muja theksoi se Qeveria nuk ka paraparë buxhet për realizimin e ligjit për memorialin “Adem Jashari” , mirëpo anëtaret e Komisionit u dakorduan që me rishikim të buxhetit të futet edhe kërkesa për ndarjen e mjeteve për këtë memorial.

Deputeti Muja tha se  me projektligj është paraparë që  ky memorial të futet në monumentet kulrutore  edhe nga UNESCO.  Sipas tij, kostoja e këtij projekti është rreth 7 milionë euro.

Po ashtu Komisioni për Bujqësi kërkoi që me urgjencë të mbahet një debat parlamentar për Haden.

Deputeti Adem Salihaj theksoi se protestat e banorëve nuk do të kenë efektin e saj serioz ngase nuk janë pritur në takim nga ministri i Mjedisit.

Kostoja e zhvendosjes së banorëve të Hades sipas Salihajt është rreth 38 milionë euro.

Deputeti Shaip Muja tha se qeveria nuk ka vullnet për zgjidhjen e problemit të banorëve të Hades ndërsa deputetja nga AAK  Time Kadrijaj tha se Qeveria duhet t’u bëjë zgjidhje banorëve të Hades ngase atje nuk ka jetë për banim.

Komisoni sot miratoi edhe Projektligjin  për mbrojtje nga rrezatimi dhe siguri bërthamore.