Në Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë thuhet se “shtyhet ekzekutimi i Vendimit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji V_399_2012, i datës 06.02.2012, deri në marrjen e aktgjykimit lidhur me kërkespadinë e Avokatit të Popullit, gjegjësisht paditësit, në këtë rast”.
“Në arsyetimin e Gjykatës Themelore lidhur me Aktvendimin e marrë, theksohet se kërkesa e paditësit, respektivisht Avokatit të Popullit për shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit në fjalë, i referohet nenit 22, paragrafi 2, të Ligjit për Konfliktet Administrative, ku përcaktohet se “me kërkesën e paditësit, organi, akti i të cilit ekzekutohet, gjegjësisht organi që është kompetent për ekzekutim, mund ta shtyjë ekzekutimin deri në vendimin definitiv gjyqësor, nëse ekzekutimi do t’i sillte dëm paditësit, i cili vështirë të riparohej, kurse shtyrja nuk është në kundërshtim me interesin publik, e as që shtyrja do t’i sillte ndonjë dëm të madh palës kundërshtare, përkatësisht personit të interesuar””, thuhet në komunikatën e Avokatit të Popullit.
Sipas IAP-së, Gjykata vlerëson se, nga provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës, Avokati i Popullit, në cilësinë e paditësit, e ka bërë besueshme kërkesën e tij, se ekzekutimi i Vendimit të kontestuar do t’i sjellë dëm qytetarëve të Republikës së Kosovës, i cili dëm është vështirë i riparueshëm dhe se shtyrja e ekzekutimit të Vendimit nuk është në kundërshtim me interesin publik.
“Së këndejmi kërkesa e Avokatit të Popullit është aprovuar”, thotë komunikata e Avokatit të Popullit.
Aktvendimi u është përcjellë palëve përgjegjëse me këshillën juridike për mundësi ankese në Gjykatën e Apelit, brenda një afati 15 ditësh.
Avokati i Popullit mban qëndrim se faturimi i energjisë elektrike të shpenzuar në veri të vendit nuk ka mbështetje në ligj, për çfarë janë dhënë arsyetimet në Raportin me rekomandime të datës 13 qershor 2017.
Raportin e plotë e gjeni KËTU