Prapaskenat e krisjes/ ‘Rama kryeministër’ ndan Bashën me Kryemadhin

05.10.2019 20:17:05

Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, krerët e dy partive që përbëjnë boshtin e opozitës, kanë qëndrime krejtësisht të ndryshme lidhur me kryeministrin Edi Rama.

Deklaratat e Kryemadhit se “LSI nuk ka kusht largimin e Ramës”, Basha i quajti “qëndrime gazetareske”, duke insistuar se opozita është e bashkuar në qëndrimet e saj.

Por në fakt, me deklaratën e tij, Basha konfirmoi krisjen me Monika Kryemadhin, qëndrimin e së cilës e përmblodhi me një fjali; ‘Monika thotë tjetër gjë me gazetarët, ndërsa bashkë kemi pakt të njëjtë politik’.

Pra sipas Bashës, kryetarja e LSI sillet me dy standarde, ndryshe flet me mediat dhe ndryshe me aleatët e opozitës.

“Intervistat gazetareske janë një gjë, qëndrimet politike janë një gjë tjetër. Nuk kam pasur asnjë kërkesë nga asnjë aleat që ne të rishikojmë qëndrimin tonë politik. Dhe sot qëndrimi ynë politik ka avancuar më tej me propozimin që kemi bërë për reformën zgjedhore.”– deklaroi të shtunën Basha.

Vetë deklarata e Bashës në vetvetë është konfirmim i krisjes brenda opozitës. Pra opozita ndryshe firmos me aleatët dhe ndryshe flet në publik. Një opozitë e unifikuar, duhet të jetë e tillë edhe në deklarata dhe qëndrime dhe jo vetëm në firmosjen e dokumenteve.

Në fund të fundit, ato që publiku merr për bazë, janë deklaratat publike dhe jo dokumentet që firmosen në zyrat e partive.