Prej nesër nisin bisedimet Gruevski-Ahmeti

15.01.2017 18:02:24

Partia e Nikolla Gruevskit pas marrjes së mandatit për formim të qeverisë nga kryetari i Maqedonisë Gjeorge Ivanov, doli me njoftim se gjatë javës së ardhshme do të fillojë bisedimet me Bashkimin Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit, si parti fituese në bllokun politik shqiptar.

“VMRO-DPMNE pret që gjatë javës së ardhshme zyrtarisht t’i fillojë bisedimet me BDI-në për formimin e qeverisë së re, se a do të kenë sukses do të kuptohet deri në përfundim të afati ligjor respektivisht më 29 janar”, thotë Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE-ja në intervistë për televizionin Kanal 5.

“Nuk planifikojmë që më çdo kusht të formojmë qeveri të re, veçanërisht jo në rast të ndryshimit të Kushtetutës për futjen e dygjuhësisë në territorin e vendit, për atë nuk kemi mandat nga qytetarët tanë. Në periudhën paraprake pamë se sa PSP-ja është e politizuar. Mandati dhe kompetenca e PSP-së  do të respektohet por nuk do të bëhet pjesë e politikës. Këto pozitat kundërthënëse me BDI-në presim të bëhen faktor gjatë bisedimeve për formim të qeverisë”, tha Milloshevski.

Milloshevski shprehi habi se pse përgjatë dy javëve të kaluara LSDM-ja nuk kishte qëndrim për Platformën e përbashkët të partive shqiptare. Sipas Milloshovskit ajo nënkupton se për ata çdo gjë është e pranueshme vetëm që të jenë në pushtet.

Ndryshe, përbërja e nëntë parlamentare të Maqedonisë, e cila ka 120 të përzgjedhur të popullit, u konstituua më 30 dhjetor të vitit të kaluar. Më së shumti deputetë ka koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE 51, Koalicioni i kryesuar nga LSDM ka 49 mandate, BDI 10, Besa 5, Aleanca e shqiptarëve 3 dhe PDSH 2. Në këtë përbërje parlamentare nuk ka të përzgjedhur të popullit nga diaspora për shkak të numrit të panevojshëm të votave të fituara.

Mandatari në afat prej 20 ditësh nga dita e dorëzimit të mandatit, Kuvendit i dorëzon program dhe e propozon përbërjen e qeverisë. Qeveria, me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, e përzgjedh Kuvendin me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

BDI, BESA dhe Aleanca për Shqiptarët, më 7 janar e publikuan platformën e përbashkët, agjenda e përbashkët politike e tre partive parasheh barazi të plotë gjuhësore, gjegjësisht përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, barazi ekonomike, zgjidhjen e kontestit për emrin me përfshirjen e shqiptarëve në grupin punues për negociata të drejtpërdrejta me Greqinë, si dhe për integrimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian.