Prekazi i heroizmave të shumtë, Histori emocionale e Jasharëve!

02.01.2018 12:11:50

Reagimi me shpejtësi i grupeve të armatosura të shqiptarëve nga Drenica, udhëhequr nga komandanti Adem Jashari, ishte vlerësuar 26 vjet më parë si fitorja e parë frontale e e betejës së UÇK-së.

Nga: Jusuf Bytyçi

Njëzetë e gjashtë vjet më parë, pikërisht më 30 dhjetor të vitit 1991, makineria serbe, policë dhe njësi ushtarake e paraushtarake, në një ditë goxha të ftohtë, për herë të parë patën sulmuar familjen e Shaban Jasharit në Prekaz. Ndërhyrja e forcave serbe me gjithë mekanizmin luftarak, kishte për qëllim që të pengonte mobilizimin shqiptar kundër forcave të okupatorit serb në Kosovë. Forcat serbe, në sulmin e parë kundër familjes Jashari, në mëngjesin e 30 dhjetorit 1991, pretendonin arrestimin e komandantit Adem Jashari, me grupin e tij nga Shqipëria, ku kishin kryer ushtrime ushtarake. Lagjia Jashari, ishte rrethuar nga forcat serbe, por vigjilenca e familjes Jashari bëri që okupatori serb të mos e arrijë qëllimin e synuar, për të thyer mobilizimin e rezistencës shqiptare ndaj tyre. Adem Jashari ishte i njohur si organizator i grupeve të para të armatosura. Forcat serbe kanë qenë të vetëdijshëm për organizimin dhe gatishmërinë për kundërvënie të komandantit Adem Jashari. Dëshmi e qartë ishte reagimi i familjes Jashari, që pasoi edhe me ndihmën e grupeve tjera të Drenicës, si veprim kundërvënës të organizuar dhe gatishmëri për solidarizim me familjarët e Shaban Jasharit, të gatshëm për sakrificë. Por, ky veprim, ka edhe simbolikën e fillimit të thyerjes së moralit të forcave të okupatorit serb.

Reagimi me shpejtësi i grupeve të armatosura të shqiptarëve nga Drenica, udhëhequr nga komandanti Adem Jashari, ishte vlerësuar 26 vjet më parë si fitorja e parë frontale e e betejës së UÇK-së.

Këtë ngjarje të rëndësisë historike, e kanë kujtuar edhe veprimtarët e komunës së Malishevës, Cen Desku e Fetah Bekolli, duke kujtuar vizitën e tyre në kullën e Shaban Jasharit, të nesërmen në mëngjes më 31 dhjetor. Desku, nënkryetar, Bekolli, ish-anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Malishevë, bashkë me ish-kryetarin Isni Kilaj dhe ish-anëtarin e kësaj kryesie, Jusuf Bytyçi, si dhe Mejdi Cikaqi, nga Dobërdelani i Suharekës, shoferi i veturës, që ishte nipi i Fetahut, kanë vizituar familjen e Shaban Jashariit. Vizita kishte për qëllim shprehjen e solidaritetit me familjen Jashari dhe gjithë banorët e Prekzit e të Drenicës që ishin ballafaquar me forcat armike.

Në Kullën e Shaban Jasharit, ishin edhe nipërit e tij të mitur. Do kujtuar se ndonëse Malisheva ishte goxha kilometra larg nga Prekazi, ne ishim delegacioni i parë që kishim arritur në kullën e Shaban Jasharit. Rrugëtimi ynë ishte realizuar nëpër rrugë të vështira nëpër Polac, por qëllimi ishte që të arrijmë gjithsessi në kullën e Shaban Jasharit. Pasi ka shprehur mirënjohje për këtë vizitë, xha Shabani pati rrëfyer se forcat e okupatorit serb kishin rrethuar të gjithë fshatin, ndërsa kishin arrestuar atë ( babin e Adem dhe Hamëz Jasharit), si dhe anëtarë të tjerë të kësaj familje, të cilët i kishin dërguar në stacionin policor të Mitrovicës. “Që të gjitha kushtet i kemi, por Liria na mungon”, u kishte thënë xha Shabani, krerëve të policisë serbe në Mitrovicë.

Pas drekës në kullën e Shaban Jasharit, ndërruam rrugën, tani dolëm në Skënderaj, ku menjëherë u ndëshëm në forcat serbe të stacionuara në qendër.

Ky kthim, natyrisht pati përplot vështirësi dhe rrezik serioz. Madje vetëm Zoti na shpëtoi nga barbarët serbë, që na ndalën në udhëkryqin e Skenderajt, pasi ishin të bindur se ishim kthyer pikërisht nga vizita te Adem Jashari. Policia serbe, të gatshëm për të vrarë çdo shqiptar që merrte guxim për të kaluar në atë lokalitet, na nxori nga vetura dhe krahas provokimit, ishte gati të zbrazte plumba nga armët e rënda të tyre. Por deshi Zoti e shpëtuam nga më e keqja.

Në këtë përvjetor të sulmit të parë të forcave okupatore serbe në Prekaz, do të vlerësonim se Prekazi është gurthemeli i lirisë së Kosovës. Familja Jashari u sulmua për herë të dytë më 22 janar 1998 dhe sulmi i tretë ka ndodhur në marsin e po këtij viti, ku si pasojë ranë dëshmorë 20 anëtarët e kësaj familje, ndërsa 10 prej tyre shpëtuan. Veprimtarët e LDK-së së Malishevës, që njëherësh ishin edhe pajtimtarë, kanë takuar familjen Jashari në Prekaz edhe pas sulmit të dytë, ndërsa pas sulmit të tretë, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, morën pjesë në ceremoninë e varrimit të komandantit me familjen e gjerë Jashari.

Lavdi jetës dhe veprës së komandantit legjendar, heroit Adem Jashari, lavdi të gjithë të rënëve në Prekaz!