A do vazhdojë prerja e murit në Mitrovicë?

11.12.2016 14:23:39

Murit të ndërtuar gjatë kësaj jave në cep të urës mbi lumin Ibër në veri të Mitrovicës dje iu pre një pjesë dhe duket se puna përfundoi me kaq.

Pas reagimeve të shumta ndaj ndërtimit të murit ndarës në veri të Mitrovicës dhe me vendimin e inspektorëve të ministrisë së Mjedisit e Planifikimit Hapësinor të shtunën murit i është prerë një pjesë, duke e ulur për 70 centimetra një skaj të tij.

Mirëpo, punëtorët e kompanisë që kishin punuar për të zbatuar urdhëresën e inspektoratit, të dielën nuk kanë vazhduar me prerjen e murit, ndërsa janë parë duke punuar në pjesën tjetër përreth murit në veri të Mitrovicës.

Telegrafi ka provuar të marrë një deklaratë nga punëkryerësi se pse është ndërprerë prerja e murit, por askush nuk ka dashur të flasë lidhur me këtë çështje.

Zyrtarë të BE-së kanë thënë se muri në afërsi të urës së Ibrit në veri të Mitrovicës është pjesë e projektit për rivitalizimin e urës dhe do të lidhë unazën e asaj rruge me zonën e këmbësorëve.

Ndërkohë është thënë se muri do të ulet për 70 centimetra dhe aty do të ndërtohen shkallë.