Presidenca: Dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në përputhje me Kushtetutën

30.10.2017 17:01:59

Javën e kaluar gjyqtarët dhe prokurorët serbë nga veriu i Kosovës, u dekretuan nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Mirëpo, ceremonia e dekretimit ka ngjallur dyshime dhe reagime në opinion duke pyetur se në çfarë forme është dhënë betimi pasi procedura u zhvillua me dyerë të mbyllura.

Deputetët e opozitës reaguan duke akuzuar qeverinë e Kosovës dhe atë të Serbisë se kishin rënë dakord më herët për një ‘betim të formës së fshehtë’.

Në lidhje me këtë, lajmi.net ka kontaktuar me zyrën e presidentit, Hashim Thaçi. Në përgjigjen e tyre thuhet se dekretimi është bërë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe marrëveshjen për drejtësi.

“Procesi i integrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të komunitetit joshumicë, brenda sistemit tonë unik të drejtësisë, është bërë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe marrëveshjen për drejtësi. Në Kosovë tani e tutje funksionon vetëm një sistem unik i drejtësisë, ashtu siç e përcakton Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e presidencës.

Vlen të theksohet se Marrëveshja për Drejtësinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte arritur në vitin 2015 në Bruksel.