Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker do të takohet me zyrtarët e lartë të shtetit

26.02.2018 23:42:26

Të mërkurën Kosova do ta ketë rastin t’i jap fund temës që është aktuale tash e tri vjet. Kjo pasi në Kuvend do të diskutohet për marrëveshjen e Demarkacionit.

Koalicioni qeverisës dhe LDK-ja kanë arritur një marrëveshje për ta votuar demarkacionin, por që ende nuk i kanë siguruar votat e mjaftueshme.

Pikërisht në ditën kur deputetët kosovarë mund ta plotësojnë kushtin për liberalizimin e vizave, në Kosovë do të qëndrojë një zyrtarë i lartë i BE-së

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker do të qëndrojë në Prishtinë ku do të ketë takime me liderët e shtetit.

Faqja zyrtare e BE-së tashmë ka zbardhur agjendën e Junckerit në Kosovë.

Presidenti i KE-së do të takohet me presidentin Thaçi, kryepearlamentarin Veseli dhe kryeministrin Haradinaj. Këto takime do të ndodhin me fillim nga ora 14:20.

Në orën 15:25 Juncker dhe Thaçi do të mbajnë edhe një konferencë për media.

Vizita e presidentit të Komisionit Evropian në Kosovë do të përmbyllet në një takim me anëtarë të shoqërisë civile të Kosovës.

Kurse, seanca për demarkacion do të mbahet nga ora 10:00, e ku pritet një debat i gjatë.

Juncker do ta vizitojë Kosovën në kuadër të turit të vizitave nëpër shtetet e Ballkanit Perëndimor, pas publikimit të Strategjisë së Zgjerimit.