Presidenti Meta me Presidenten e Kroacisë vizitë në Berat

20.07.2018 00:15:38

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, së bashku me Presidenten e Republikës së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarovic ishin sot në qytetin e Beratit.

Presidenti Meta dhe Presidentja Grabar-Kitaroviç vizituan qytetin e lashtë e me vlera historike dhe atraksione turistike të Beratit, të mirëpritur nga kryebashkiaku Petrit Sinaj dhe përfaqësuesit e pushtetit vendor, ku u ndalën në Kalanë e qytetit, në Muzeun “Onufri” dhe Kishat e Shën Kollit e të Shën Mari Vlahernes.

Me rastin e vizitës së saj të posaçme në Berat, në një atmosferë të bukur festive, Presidentja e Kroacisë Kolinda Grabar-Kitarovic u shpall ‘Qytetare Nderi”’ nga Këshilli Bashkiak i këtij qyteti me motivacionin: ‘Personalitetit i shquar i politikës rajonale e më gjerë, model frymëzimi, humanizmi, solidariteti si dhe përfaqësues e një populli mik që çmon dhe vlerëson kontributin e shqiptarëve për lirinë duke ndërtuar ura bashkëpunimi, tolerance, mirëkuptimi dhe paqeje midis popujve’.

Presidenti Meta duke iu drejtuar të pranishmëve, theksoi se vizita në këtë qytet të përfshirë në trashëgiminë botërore të UNESCO-s dhe shpallja e Presidentes kroate ‘Qytetare Nderi’ nga Beratit është një tregues mjaft domethënës jo vetëm i lidhjeve të lashta mes dy vendeve e popujve, por edhe një ilustrim i marrëdhnieve të shkëlqyera e miqësisë së ngushtë mes shqiptarëve dhe kroatëve.