Presidenti Thaçi, as sot nuk do ta bëjë thirrjen e seancës konstituive

18.07.2017 10:36:13

Edhe pse ishte paralajmëruar se presidenti i vendit Hashim Thaçi pritet që në fillim të kësaj jave të bëjë thirrjen për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, kjo gjë nuk pritet të ndodhë edhe gjatë ditës së sotme.

Kështu së paku i kanë thënë disa burime, të cilët megjithatë nuk kanë dhënë ndonjë detaj rreth asaj se pse nuk po ndodh një gjë e tillë.

Gjithsesi, pavarësisht kësaj, një gjë të tillë pritet që presidenti ta bëjë ditëve në vazhdim, dhe jo më larg se më 10 gusht.

Ndryshe, Komisioni Qendror Zgjedhor, më 10 korrik i ka dërguar njoftim zyrtar presidencës për certifikimin e rezultateve zgjedhore.

Ndërkaq, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në bazë të nenit 7 të Rregullores së Kuvendit e thërret mbledhjen konstituive brenda 30 ditëve nga shpallja e rezultateve, përkatësisht deri më 10 gusht.

“Mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit e thërret Presidenti i Republikës së Kosovës brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultatit të zgjedhjeve”, thuhet në Rregulloren e Kuvendit.

Dhe derisa presidenti nuk po bën thirrjen e seancës konstituive, partitë politike po vazhdojnë me “lojën e numrave”.