Presidenti Thaçi: Bajram Rexhepi do të na mungojë të gjithëve

21.08.2017 12:31:10

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se me dhimbje të thellë ka marrë lajmin për vdekjen e ish-kryeministrit të Kosovës Bajram Rexhepi, maturia dhe guximi i të cilit ishin shembull për të gjithë kolegët e tij.

Ai në një postim në Facebook shkruan se sinqeriteti, afërsia dhe respekti i Bajram Rexhepit ishin shembull për të gjithë miqtë e tij.

“Me dhembjen më të madhe e pranova lajmin për vdekjen e mikut tim, kolegut tim, Bajram Rexhepit, kryeministri i parë i Kosovës, burrështetas dhe politikan që ka prekur jetët e të gjithëve me urtinë e tij.

Maturia, durimi, por edhe guximi për të vepruar kur duhej, ishin shembull për të gjithë kolegët e tij.

Sinqeriteti, afërsia dhe respekti i tij ishin shembull për të gjithë miqtë e tij. Të gjithëve do të na mungojë si mik, si koleg, si shembull.

Me mendjet dhe me zemrat tona jemi me familjen e Bajramit, duke i shprehur ngushëllimet më të thella e duke i uruar forcë e durim, por edhe krenari në këto ditë të vështira”, shkruan Thaçi.