Presidentja kroate dekoron me medaljen e meritave ambasadoren e Kosovës

21.12.2016 17:45:08

Ambasadorja e Kosovës në Kroaci, Shkëndije Geci-Sherifi është dekoruar nga Presidentja Kroate, Kolinda Grabar Kitaroviq për merita të veçanta në promovimin e marrëdhënieve bilaterale Kosovë-Kroaci, në një ceremoni zyrtare në Presidencën e Republikës se Kroacisë.

Kitaroviq tha se përgjatë tre viteve të shërbimit në Kroaci, ambasadorja ka bërë përpjekje të mëdha në promovimin e bashkëpunimit reciprok dhe shkëmbimeve miqësore midis Kosovës dhe Kroacisë dhe se vlerëson lartë punën e saj të palodhshme në thellimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Kroacisë.

Ambasadorja Sherifi u dekorua me Urdhrin e Dukës Branimir të Kroacisë, urdhër ky i cili u jepet zyrtarëve të lartë shtetërorë, shefave të misioneve diplomatike për merita të veçanta në promovimin e pozitës ndërkombëtare dhe marrëdhënieve të Kroacisë me vendet e tjera.

Ndër të tjera diplomatja kosovare ka thënë se ndjehet thellësisht e nderuar dhe se kjo dekoratë e çmuar nuk është vetëm një nderim personal por është një simbol i raporteve miqësore Kosove-Kroaci.