Prishja e semaforëve shkakton kolona në kryeqytet

27.07.2017 17:49:04

Qorri tha se rregullimi i tyre merr shumë kohë

Tash e disa ditë, semaforët në kryqëzimin që lidhë rrugët “Lidhja e Prizrenit” dhe “Ilir Konushevci” në lagjen Tophane, lagje kjo e frekuentuar në kryeqytet janë jashtë funksionimit. E mungesa e tyre, çdo ditë po shkakton kolona, sidomos në periudhën e mesditës dhe në përfundim të orarit të punës.

Qytetarët të cilëve u bien rruga të kalojnë nëpër këtë rrugë  kanë mendime të ndryshme sa i përket rrezikut që paraqet mosfunksionimi i semaforëve.  Vehbi Rexhaj, tregon për KP se semaforët aty nuk janë duke punuar tash e dy javë. Madje ai tregon se gjatë kësaj periudhe nuk ka parë as policë për të drejtuar trafikun në kryqëzim.

Për Ridvan Bujupin mungesa e semaforëve në atë udhëkryq paraqet rrezik të madh. Ndërkaq, sipas Ilir Gjikollit, rreziku nuk është shumë i madh pasi që ai konsideron se njeriu me një kujdes të shtuar mund të evitojnë rrezikun e ndonjë aksidenti eventual.

Udhëheqësi i sektorit për shërbime publike, Habib Qorri tha për KP se rregullimi i semaforëve të kryqëzimit në Tophane merr shumë kohë, meqë pajisjet aty janë shumë të vjetra dhe  nuk prodhohen më. Për këtë, ai thekson se është dashur që të bëjnë improvizime për të rregulluar tabelën komanduese e sipas tij, deri në fund të ditës së sotme pritet që të rregullohet ky problem.

Ai thekson se shkaktarët më të shpeshtë të daljes jashtë funksionimit të semaforëve janë rryma, tensioni i të cilës siç thotë ai, nuk është asnjëherë konstant si dhe mungesa e sistemeve mbrojtëse për të ndalur depërtimin e ujit.

Sa i përket mungesës së policëve të trafikut në këtë zonë me prishje të semaforit, Qorri thotë se një gjë e tillë nuk paraqet problem përderisa drejtuesit respektojnë rregullat.

fNdryshe,  përveç kryqëzimit të rrugës “Ilir Konushevci” me rrugën “Lidhja e Prizrenit” edhe nyja semaforike tek Pallati i Rinisë vazhdon të jetë me pajisje të vjetra , pasi që ende nuk është bërë modernizimi i tyre.