Profesoresha e cila tronditi Amerikën me akuzat për ngacmim seksual

28.09.2018 18:27:45
Christine Blasey Ford është profesoresha e psikologjisë e cila tronditi themelet e drejtësisë amerikane në prag të zgjedhjeve për Gjykatën Supreme.
Profesoresha 51 vjeçare e universitetit të famshëm të Palo Altos ka akuzuar përpara Senatit Amerikan të Drejtësisë gjykatësin Brett Kavanaugh se e ka përdhunuar kur të dy kanë qenë në shkollën e mesme.Në një dëshmi plot emocione, Blasey Ford ka treguar se ajo është 100% e sigurt se Kavanaugh dhe shoku i tij Mark Judge kishin qenë të dehur, e kishin mbyllur në një dhomë gjumi dhe e kishin sulmuar seksualisht.

Profesoresha me përvojë prej 30 vitesh i mëson studentët si të gjykojnë në mënyrë kritike, ashtu siç vet u tregua kritike ndaj gjyqtarit që pretendon se e ka përdhunuar duke përfituar nga rasti, pasi të dy ishin të dehur.

Kandidati Brett Kavanaugh është aktualisht anëtar i Gjykatës së Apelit për Distriktin e Kolumbias, ndërsa ka mohuar kategorikisht akuzat duke u shprehur se nuk kishte qenë i pranishëm në ndonjë mbrëmje të tillë. Ai i akuzoi Demokratët se kishin organizuar një sulm të llogaritur për synime politike dhe në mënyrën më të ulët.

Me dëshminë e saj, pedagogia ka tronditur nga themelet Senatin, anëtarët e të cilit janë shprehur se janë krah Blasey Ford dhe e kanë përshëndetur për kurajon që tregoi për të folur.

“Kurrë nuk kam kryer sulm seksual ndaj dikujt, as në shkollë të mesme, as në universitet, asnjëherë”, u shpreh kandidati Kavanaugh gjatë dëshmisë para Komisionit Juridik të Senatit. “Kurrë nuk kam bërë një gjë të tillë me të, ose me dikë tjetër”.

Pas fjalimit të gjykatësit, senatorët janë ndarë në dy drejtime – ata që besojnë profesoreshën dhe ata që besojnë Kavanaugh.

“Ju prisni një proces të drejtë konfirmimi?”, iu drejtua senatori Graham gjykatësit. “Keni ardhur në qytetin e gabuar, në kohën e gabuar, miku im”, shtoi ai.

Akuzat e Christine Blasey Ford kanë shkundur Senatin dhe shumicën e amerikanëve, ndërsa për gjykatësin Brett Kavanaugh, akuzat për sulme seksuale, edhe pse vetëm duke e prekur në “pjesë të papërshtatshme” të trupit profesoreshën, në atë kohë shoqja e tij e gjimnazit, mund të jenë fatale për kandidimin e tij në Gjykatën Supreme.

Prej ditësh në Shqipëri një 25 vjeçare dyshohet se është përdhunuar nga djali i një deputeti të Kuvendit, por pavarësisht akuzave dhe ndarjes së palëve “pro” dhe “kundër” rastit, “viktima” ende nuk është marrë në mbrojtje nga shteti, ndërsa “autori” i dyshuar as që është shoqëruar në organet e hetimit, qoftë edhe formalisht.