Profesori amerikan akuzohet për vjedhje të shpikjes së studentit dhe shitje të saj

02.03.2019 14:57:41

Universiteti i Missourit ka bërë padi kundër ish-profesorit Ashim Mitra për dyshimet lidhur me vjedhjen dhe shitjen e punës shkencore të studentit të vet për 1.5 milion dollarë.

Në këtë padi thuhet se Ashim Mitra e ka vjedhur një formulë shumë të rëndësishme të barnave dhe i ka përfituar rreth 10 milionë dollarë përmes burimeve tjera.

Ish-profesori Mitra ka dhënë dorëheqje nga universiteti ku ka qenë duke punuar dhe i ka mohuar këto akuza.

Të akuzuar për keqpërdorim janë edhe bashkëshortja e profesorit, e cila punonte në laboratorin e tij, dhe dy kompani për prodhimin e ilaçeve, të cilat dyshohet se e kanë përdorur këtë shpikje për përfitime financiare.

Universiteti e akuzon ish-profesorin e tyre se ka punuar fshehurazi me këto kompani për ta fituar patentën për këtë zbulim, me të cilin bëhet vendosja e ilaçeve në sy përmes nanoteknologjisë.

“Mitra e ka vjedhur zbulimin e universitetit tonë, e ka shitur atë në industrinë e barnave, ka dhënë ndihmë për kompanitë për ta fituar patentën dhe ia ka mohuar meritat një studenti”, thuhet në deklaratën e Universitetit të Missourit, shkruan “CNN”