Profesori i komunikacionit: Mungesa e sinjalistikës, shkak i aksidentit tragjik

28.07.2017 23:43:43

Profesori i komunikacionit rrugor, Bekim Ahmeti ka thënë se mungesa e sinjalizimit ka shkaktuar aksidentin tragjik që ndodhi mbrëmë e la katër të vdekur e një të lënduar rëndë tek rrethrrotullimi në kryeqytet.

“Deri te aksidenti, sipas mendimit ka ardhur për shkak se mungon sinjalizimi horizontal dhe vertikal, sinjalizimi për kufizimin e shpejtësisë, mungojnë shenjat e lajmërimit që tregojnë se ka rrethrrotullim dhe që tregojnë se jemi duke hyrë në zonën e qytetit”.

“Shenjat e vendosura nuk janë të mjaftueshme, nuk shihet qartë dhe është errësirë e plotë ku nuk vërehet lehtë, mund të ketë edhe faktorë të tjerë por që në këtë pjesë nuk janë plotësuar kriteret që të mos i lëmë asgjë rastësisë”.

“Sinjalizimi horizontal dhe vetikal nuk është në rregull dhe kanë mundur të jetë shkaktar i aksidentit”.

Por Ahmeti në Kosova Direkt në Klan Kosova nuk e ka përjashtuar mundësinë që aksidenti është shkaktuar nga shpejtësia e madhe.

“Shpejtësia e lartë ka mundur të jetë një faktor i aksidentit por duhen marrë masat edhe me sinjalizimin, është dashur që ekspertët të analizojnë këtë vend, njerëzit që kanë vdekur nuk e kanë njohur qytetin andaj duhet të pajiset rruga me sinjalizim”

“Rruga duhet të plotësojë të gjitha kriteret dhe një nga kriteret kryesore është sinjalizmi i duhur”.

Sipas profesorit, tashmë në këtë rrethrrotullim, duhet të vendoset shenja e rrezikut që në këtë zonë ka pasur aksident me fatalitet me më shumë se tre të vdekur.