Programet e partive politike, për qeverisjen e mirë

03.06.2017 17:22:10

Në emisionin “Përballje zgjedhore” – bashkëprodhim i gazetarit Muhamet Hajrullahu me Telegrafi.com për Radiotelevizionin Dukagjini – është diskutuar me përfaqësuesit e koalicioneve parazgjedhore, për programin e tyre në qeverisjen e mirë – në transparencë dhe llogaridhënie.

 

Shqipe Pantina nga Vetëvendosje ka thënë se qeverisja e mirë nuk është administratë.

“Administrata është vetëm një segment i qeverisjes së mirë. Qeverisja e mirë nënkupton llogaridhënie”, ka thënë Pantina, duke shtuar se deputetët dhe politikanët duhet t’u mbesin besnikë parimeve të tyre.

Ajo ka akuzuar kandidatin për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, për mos përgjegjësi gjatë kohës së udhëheqjes së Ministrisë së Financave.

Ndërkaq, Dardan Velija nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se plani i tyre për qeverisjen e mirë – në tetë vitet e ardhshme – do të jetë në shtëpinë e secilit qytetar.

“Mendoj që e kemi një plan që deri më tani nuk ka pasur të tillë. E kemi parë që PDK-ja e ka rrit qeverinë në mënyrë enorme me numrin e ministrive vetëm për t’i kënaqur egot e tyre”, ka thënë Velija.

Në momentin kur Velija është atakuar nga bashkëbiseduesit se LDK-ja ka qenë në koalicion qeverisës me PDK-në, Velija ka theksuar se “LDK-ja ka qenë në koalicion të zorit”.

Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka theksuar se programi i AAK-së është program i elaboruar. Ai ka thënë se në rast se AAK do të vije në pushtet, atëherë do të ketë vendim për Demarkacionin dhe Asociacion që Qeveria e kaluar nuk ka arritur t’i marrë.

Në anën tjetër, Jetmir Bakija nga organizata joqeveritare “Demokraci + ”, duke komentuar programet e secilës parti politike, ka theksuar se deri më tani askush nga partitë nuk ka dhënë program të detajuar.

“Koalicioni PDK-AAK-Nimsa nuk ka program të shkruar, fjalët e tyre janë hajgare, janë fjalë boshe retorike, pa ka asgjë konkrete. LDK-ja tri pikat e para në program i ka të ngjashme me ato të 2014-ës dhe deri tani ende nuk e kanë bërë publike në ueb-faqen e tyre. Kurse, Vetëvendosje i ka publikuar 40 pika të programit të tyre, por nuk janë të detajuara aq mirë”, ka thënë Bakija, duke kërkuar që premtimet që jepen në fushata duhet të jenë specifike dhe të mbahen ato.