Prokurori i kanosur thotë se Gjykata dhe Prokuroria janë të ndikuara

05.07.2017 16:38:04

Besim Susuri, prokurori i kanosur i Prizrenit kërkoi përjashtimin e Prokurorisë dhe Gjykatës së Gjakovës nga gjykimi për kanosjen e tij.

Në seancën e gjykimit të Eshref Qafleshit, të akuzuarit për kanosjen e prokurorit Besim Susuri, prokurori Susuri kërkoi përjashtimin nga ky proces të Prokurorisë dhe Gjykatës në Gjakovë, me arsyetimin se ato janë të ndikuara.

“Me prokurorin e çështjes jemi shokë, ndërsa sa i përket kërkesës për përjashtimin e gjyqtares, kryetarit dhe Gjykatës Themelore në Gjakovë si dhe Prokurorisë Themelore në Gjakovë ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të njëjtit janë të ndikuar nga i pandehuri dhe persona të caktuar për të cilin fakt të njëjtit do të ballafaqohen në një të ardhme të shpejtë”, deklaroi Besim Susuri.

Gjykata me kohë do t’i njoftojë palët për vendimin e kryetarit të saj rreth kërkesës për përjashtim të bërë nga prokurori Susuri.

Në seancën e sotme nuk ishte i pranishëm Eshref Qafleshi, i akuzuari për kërcënimin e prokurorit Susuri.

Gjyqtarja Ilirjana Hoti, njoftoi se Qafleshi nuk ka ardhur në gjykatë, ngase ndaj tij është iniciuar edhe një rast tjetër.

“Në gjykatë ka arritur parashtresa-njoftimi i prindit të akuzuarit Haxhi Qafleshi me dt. 04.07.2017 me të cilën ka njoftuar gjykatën për pamundësinë e pjesëmarrjes së të akuzuarit në shqyrtimin gjyqësor meqenëse i njëjti është në paraburgim në Qendrën e Paraburgimit në Prizren me që nga ana e prokurorisë është iniciuar edhe një rast tjetër”, tha gjyqtarja Hoti.