Prokurori jep detaje të reja se si u gjetën tre të vrarët në tragjedinë familjare në Dardani

22.04.2019 22:01:29

Prokurori i rastit, Armend Hamiti ka dhënë detaje të reja rreth tragjedisë që ndodhi sot në lagjen Dardania në Prishtinë, ku një person vrau bashkëshorten e tij, renë e më pas edhe veten.

Prokurori tregon se kur ka arritur policia në banesën ku u kryen tri vrasje, trupat e pajetë janë gjetur të shpërndarë.

“Dy gratë e vrara janë gjetur në kuzhinë, ndërsa burri është gjetur i vrarë në dhomën e fjetjes. Mendoj se vajza e vogël nuk e ka parë krimin pasi lodrat e saj kanë qenë në dhomë, mirëpo mendohet se kur e ka dëgjuar zhurmën ka dalë në sallon”, ka treguar ai, për T7, raporton Express.

Prokurori tregon se janë në fazën fillestare të hetimeve, mirëpo nga informatat që kanë marrë nga djali i Hasan Krasniqit, që dyshohet se vrau dy familjaret e tij dhe vetën.

“Kish pasur probleme psikike. Por, siç kemi marrë informata nga djali i tij, kohëve të fundit ai ka qenë i qetë dhe nuk ka shfaqur shenja dhune”, tha ai.

Ai tregon se çka i ka thënë i ndjeri djalit të tij kur e ka marrë në telefon, pasi janë vrarë dy gratë.

“Në telefonatën që e ka marrë ka thënë se këto dyja i kurtalisa, e tash po e kurtalisi edhe vetën”, ka thënë Hamiti.