Prokuroria kërkon dënimin e dy ish-zyrtarëve të Ministrisë së Mirëqenies Sociale

10.04.2018 16:08:51
Ish-zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Bajram Pajaziti dhe Bajram Azemi, pas kthimit të rastit në rigjykim, sërish janë deklaruar të pafajshëm për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Dy të akuzuarit në seancën e së martës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kanë thënë se qëndrojnë pranë deklaratave të dhëna në shqyrtimin e kaluar gjyqësor, duke shtuar se nuk e ndiejnë veten fajtorë për akuzën me të cilën ngarkohen.

Pajaziti e Azemi akuzohen se kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës, duke ia aprovuar pensionin e invalidëve të dëshmorëve Rexhep Haxhës, për djalin e tij të ndjerë Bahri Haxha, i cili ishte viktimë civile e luftës, ku siç thuhet në aktakuzë, për të cilin nuk ishin gjetur dokumente në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës (TMK), që i njëjti kishte qenë pjesëtar i UÇK-ës.

Në seancën e së martës, i akuzuari Bajram Azemi, ka deklaruar se në momentin kur kishin vendosur për pensionin e Rexhep Haxhës, kishin vepruar në bazë të Ligjit mbi të Drejtat e Familjeve të Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve dhe Pjesëtarëve të UÇK-së dhe Familjeve të Viktimave të Luftës.

“Neni 15, par 15.1 i këtij ligji, na ka dhënë alternativë, ku ndër të tjera për njohjen e të drejtës për pension të familjeve të dëshmorëve, përveç dokumentacionit nga shtabi i përgjithshëm i TMK-së, dokumentacioni është i vlefshëm dhe në bashkëpunim me shoqatat e dala nga lufta. Kur ne është dashtë të vendosim për këtë pension, shtabi i TMK-së nuk ka ekzistuar, sepse kjo është shndërruar në FSK, dhe kompetencat e TMK-së nuk janë bartur në FSK”, ka deklaruar Azemi.

Ai ka thënë se kishin vepruar konform ligjit, dhe me rastin e marrjes së vendimit, kishin pasur hamendje dhe hezitime, por sipas tij, ata i ishin drejtuar zyrës qendrore dhe kabinetit të MPMS-së dhe se ata e kishin sugjeruar që të vepronin ashtu siç edhe kishin vepruar.

Azemi ka shtuar se pensionet për kategoritë e luftës kishin filluar të aplikoheshin nga viti 2000, sipas një rregulloreje të UNMIK-ut, ku të gjitha kategoritë kishin pasur të njëjtën pagesë. Mirëpo, sipas tij, në momentin kur kishte hyrë në fuqi Ligji Nr. 02/L-2, në vitin 2006, kishte filluar të bëhej diferencimi i pagesave.

“Ndryshimi i pensioneve është bërë në bazë të kërkesave të palëve dhe dokumentacionit përkatës të ofruar. Kjo ka zgjatur që nga viti 2006 deri në vitin 2009. Edhe rasti konkret ka bërë kërkesë si gjithë të tjerët, por në momentin kur është bërë kjo kërkesë, shtabi i përgjithshëm i TMK-së ishte shuar dhe alternativë kemi gjetur te neni 15 i ligjit të lartcekur”, ka deklaruar Azemi.

Ai ka thënë se në mungesë të dokumentacionit nga shtabi i përgjithshëm i TMK-së, kishin përdorë si alternativë shoqatat e dala nga lufta, si dhe komandantët e zonës, të cilët kishin vërtetuar se tani më i ndjeri Bahri Haxha, kishte qenë pjesëtar i UÇK-së dhe se kishte rënë dëshmor.

Azemi ka mohuar se e kishte njohur personalisht Rexhep Haxhën dhe po ashtu ka mohuar se me veprimet e tyre ishte dëmtuar buxheti i Kosovës.

“Ky pension për të cilin ne akuzohemi vazhdon të merret edhe sot. Në vitin 2016 ky pension ka dalë në rishqyrtim nga MPMS, dhe në të njëjtin dokumentacion ekzistues i është vazhduar e drejta në pension bashkëshortes së tani të ndjerit Rexhep Haxhës, Halime Haxhës”, ka thënë  Azemi.

Ndërsa, i akuzuari Bajram Pajaziti, ka deklaruar se pasi e kishte marrë pozitën e drejtorit të Departamentit për Familje të Dëshmorëve, pranë MPMS-së, kishte anuluar një vendim të marrë më herët ndaj një personi që i ishte njohur e drejta për pension, pasi kishte munguar dokumenti me të cilin kishte qenë pjesëtar i TMK-së.

Ai ka thënë se pas këtij vendimi, pala ishte ankuar në zyrën ligjore të MPMS-së, dhe pas konsultimit me drejtorin e kësaj zyre dhe me këshilltarin për çështje juridike, kishte anuluar këtë vendim.

Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Shashivar Hoti, nëse mendonte që kishte vepruar në kuadër të kompetencave të tij, Pajaziti ka shtuar se nuk ishte ekspert i kësaj fushe dhe se kishte mundësi të ndodhnin gabime të tilla.

Ai ka mohuar se nga këto veprime kishte përfituar dobi pasurore për vete apo për dikë tjetër.

Ndryshe, në këtë shqyrtim gjyqësor, janë administruar të gjitha provat e propozuara në aktakuzë dhe është dhënë edhe fjala përfundimtare.

Prokurorja Dulina Hamiti, ka deklaruar se mbetet pranë fjalës përfundimtare të dhënë në gjykimin e mëhershëm, duke kërkuar nga gjykata që dy të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, pasi sipas saj, fajësia e dy të akuzuarve ishte vërtetuar me administrimin e provave dhe dëshmive në këtë rigjykim.

Mbrojtësi i të akuzuarit Bajram Azemi, avokati Valon Hasani, ka thënë se i mbrojturi i tij, kishe vepruar në kuadër të kompetencave të tij, të cilat ia kishte përcaktuar ligji dhe në përputhje  me rekomandimet që ia kishte dhënë zyra ligjore e MPMS-së.

Sipas tij, prokuroria nuk kishte ofruar asnjë provë me të cilën do ta bindte trupin gjykues se cili kishte qenë qëllimi për të përfituar Rexhep Haxha, pasi sipas avokatit, dy të akuzuarit as nuk kishin lidhje familjare dhe se as nuk e kishin njohur Rexhep Haxhën.

Ai ka kërkuar nga gjykata që dy të akuzuarit edhe një herë të lirohen nga akuza.

Bajram Pajaziti, në fjalën e tij përfundimtare, ka deklaruar se ai së bashku me të akuzuarin Azemi, nuk kishin pasur qëllim dhe as pretendim që të përfitonin ndonjë dobi materiale, pasi sipas tij, nuk e kishin njohur personin fare.

Ai ka thënë se kishin vepruar sipas ligjit dhe se nuk i kishin tejkaluar kompetencat e tyre. Po ashtu, i njëjti kërkoi nga gjykata që të shpallet i pafajshëm.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shashivar Hoti, ka njoftuar palët se shpallja e aktgjykimet do të bëhet, nesër, më 11 prill 2018, në ora 13:00.

Pajaziti dhe Azemi, më 23 mars 2017, ishin liruar nga akuza për korrupsion, mirëpo, Gjykata e Apelit më 11 korrik 2017, kishte prishur aktgjykimin e shkallës së parë dhe çështjen e  kishte kthyer në rigjykim.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte ushtruar ankesë kundër këtij aktgjykimi, me pretendimet për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljeve të ligjit penal, konstatimit jo të plotë dhe të gabuar të gjendjes faktike, me propozim që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet dhe të akuzuarit të shpallen fajtorë ose çështja të kthehet në rigjykim.

Në bazë të kësaj, Apeli ankesën e prokurorisë e kishte aprovuar si të bazuar dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë, është i përfshirë me shkelje të dispozitave të procedurës penale dhe se gjykata e shkallës së parë nuk kishte paraqitur në mënyrë të qartë dhe të plotë se cilat fakte dhe për çfarë arsye i konsideron të vërtetuara apo të pavërtetuara.

Sipas aktakuzës, gjatë gushtit 2009 e deri më 13 tetor 2014, Bajram Pajaziti, në cilësi të drejtorit të Departamenti për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile dhe Bajram Azemi, në cilësi të kryesuesit të Divizionit të Skemës së Pensioneve, në MPMS-së, i kanë sjellë përfitim të kundërligjshëm Rexhep Haxhës, duke dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Azemi dhe Pajaziti, i’a kishin aprovuar pensionin e invalidëve të dëshmorëve Rexhep Haxhës, për djalin e tij të ndjerë Bahri Haxhën, i cili ishte viktimë civile e luftës, për të cilin nuk ishin gjetur dokumente në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës (TMK), që i njëjti kishte qenë pjesëtar i UÇK-ës. Me këtë rast të pandehurit i kishin mundësuar përfitim pasuror të kundërligjshëm Rexhep Haxhës, në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës dhe atë në shumën prej 13.900.98 euro.