Prokuroria pa asnjë rezultat në verifikimin e listave të veteranëve të UÇK-së (Video)

04.02.2018 19:51:04

Ende nuk ka rezultate konkrete nga ana e Prokurorisë Speciale e Kosovës, e cila është duke i hetuar listat e veteranëve të UÇK-së.

Prokuroria Speciale e Kosovës thotë se në fazën në të cilën ndodhet nuk mund të komentojë asgjë lidhur me listat e veteranëve.

“Prokuroria Speciale e Kosovës shfrytëzon edhe një herë rastin që të ftojë secilin që mund të japë informacione apo që ka qenë dëshmitarë i çfarëdo situate ku mund të ketë pasur parregullsi, manipulim, falsifikim, mashtrim nga kushdo qoftë lidhur me përfitimin e statusit të veteranit  luftëtar i UÇK-së, statusit të invalidit të UÇK-së dhe kategorive të tjera të dala nga lufta, të paraqitet sa më parë në Policinë e Kosovës apo PSK” , thotë Prokuroria Speciale e Kosovës për RTV21.

Ndërkaq, shoqëria civile po e sheh këtë proces si shumë të ngadalshëm.

Arton Demhasaj nga Organizata “ÇOHU” mendon se është vonuar shumë kjo procedurë, meqë këtu nuk kemi të bëjmë me vepra specifike penale shumë të rënda që lypin shumë kohë për t’u hetuar, por kemi të bëjmë me shkelje procedurale.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të drejtave të Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, thotë se para dy muajsh ka pasur një kontakt me hetues të policisë së Kosovës të cilët kanë kërkuar udhëzime se si të hetohen më lehtë këto lista.

“E gjithë përgjegjësia bie mbi Komisionin Qeveritar për verifikimin e listave”, thotë Qeriqi.

Nga ana tjetër drejtori i Zyrës për Çështjet e kategorive të dala nga Lufta, në Zyrën e Kryeministrit, Gazmend Syla, thotë se verifikimin do ta bënte më mirë komisioni qeveritar sesa Prokuroria Speciale.