Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër kosovarit të Al Nusras

12.12.2016 17:37:35

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit, N.A, për veprën penale “Organizimi dhe Pjesëmarrja në Grup Terrorist” nga neni 143 paragrafi 2, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri N.A., i është bashkuar organizatës terroriste të quajtur “Al-Nusra” nё janar tё vitit 2014.

I pandehuri duke shfrytëzuar rrugën ajrore përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” ka udhëtuar për në Stamboll-Turqi, e pastaj nga ky vend ka udhëtuar pёr nё qytetin Gazientep (qytet afёr kufirit me Sirinё). Prej aty i pandehuri N.A., ka arritur tё kaloi nё territorin e Sirisё, ku është bёrë pjesё e organizatës terroriste “Al Nusra”, i cili pas qëndrimit një javor nё Siri është kthyer nё Kosovё përmes rrugëve tё njëjta.

Ndërsa, kur i pandehuri N.A., sërish ka provuar të shkojë për nё Siri duke shfrytëzuar rrugën Shkup-Stamboll, në aeroportin e Stambollit autoritetet turke e ndalojnë, e pastaj e dëbojnë pёr shkak tё lidhjes së tij me zonёn e luftёs.

Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist nga neni 143, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Aktakuzën e ka ngritur një prokuror vendor i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar gjykatës kompetente që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprën e kryer penale dhe ta dënojë sipas ligjit.