Prokuroria thotë se ka prova ndaj ish-kryetarit të bordit të “Kosova Thëngjilli”, mbrojtja i kundërshton

21.03.2018 18:43:46

Në seancën e së mërkurës, palët në procedurë kanë paraqitur fjalët e tyre hyrëse para trupit gjykues në gjykimin që po zhvillohet ndaj ish-kryetarit të bordit “Kosova Thëngjilli”, Tahir Zeneli, i cili po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Tahir Zeneli akuzohet se më 17 mars 2010, si person zyrtar ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Pollogu”, në kundërshtim me vendimin e bordit të Sh.A. “Kosova Thëngjill”.

Prokurori Kujtim Munishi, ka deklaruar se Prokuroria gjatë shqyrtimit gjyqësor do të prezantojë si provë shkresën nga bordi drejtues i “Kosova Thëngjilli”, nga e cila sipas tij, do të vërtetohet se cilat kanë qenë kushtet për lidhjen e kontratës dhe sa ka qenë çmimi i thëngjillit, i paraparë nga kontrata me numër 439, e lidhur në mars të vitit 2010.

Gjithashtu, prokurori ka deklaruar se do të vërtetohet se me çfarë çmimi të thëngjillit është lidhur kontrata dhe a është në harmoni me vendimin e bordit drejtues si dhe ofertave për thëngjill.

Më tutje, prokurori tha se do të prezantohet edhe oferta për thëngjill, nga e cila do të vërtetohet se “Kosova Thëngjilli” ka ofertuar çmimin e thëngjillit, si dhe do të bëhet prezantimi i të dëmtuarit, njëkohësisht dëshmitarit Halit Leci, i cili ka qenë edhe anëtar i bordit, kur është shqyrtuar oferta e kompanisë “Pollogu”, raporton betimiperdrejtesi.com.

Prokurori, gjithashtu deklaroi se do të prezantohet ekspertiza e kryer nga eksperti Mentor Prekazi, nga e cila do të vërtetohet edhe dëmi material i shkaktuar me kontratën e lidhur me kompaninë “Pollogu”.

Avokati mbrojtës i Tahir Zenelit, Ibrahim Dobruna, ka deklaruar se kjo është përballja e parë e Zenelit me akuza. Sipas tij, gjatë shqyrtimit do të vërtetohet se mungesa e provave të artikulueshme e bën të paqëndrueshme aktakuzën.

Dobruna deklaroi se do te provohet se edhe provat që janë dorëzuar në mbështetje të aktit akuzues në tërësinë e tyre, nuk e provojnë dhe mbështesin aktakuzën lidhur me veprën penale që i është vënë në barrë Zenelit.

Përmes analizës ligjore që do t’i bëhet çdo prove, mbrojtja ka konsideruar se do të vërtetohet se pretendimet e prokurorisë janë të paqëndrueshme juridikisht, kurse sipas tij edhe nga mbledhja e përgjithshme e aksionarëve do të vërtetohet se kontrata është lidhur me mirëbesim dhe për interes të kompanisë që ka përfaqësuar Zeneli.

Përfaqësuesja e palës së dëmtuar “Kosova Thëngjilli”, Jehona Qerimi, ka deklaruar se kërkesa pasurore juridike paraqitet nga ana e tyre në vlerë 338.126.98 euro, shumë kjo që ka të bëj me humbjen e realizuar të palës së dëmtuar si pasojë e veprimeve të të akuzuarit.

Tutje, gjatë seancës është bërë prezantimi i provave materiale.

Prokuroria ka prezantuar kontratën me numër 439, përmes së cilës ka thënë se do të vërtetohet pagesat e investimeve që janë bërë me zbritjen e çmimit të qymyrit dhe modaliteteve te papara me pagesë, qysh prej lidhjes së kontratës, që është nënshkruar nga Zeneli dhe anëtarët e bordit.

Sa i përket kësaj kontrate, mbrojtja ka deklaruar se është provë që lidhet me vendimin që e ka marr bordi drejtues, me të cilën janë përcaktuar kushtet e lidhjes së kontratës dhe me të cilën është autorizuar kryetari dhe zëvendëskryetari i bordit që të negociojnë në bazë të kushteve me kompaninë “Pollogu” .

Veprimet që kanë pasuar pas kësaj përgjigje në kuptim të kontratës, sipas autorizimit, sipas mbrojtjes, e kanë bërë këtë provë të pavlefshme.

Prova e dytë që është prezantuar nga prokuroria, ka qenë kontrata e datës nënshkruar nga palët kontaktuese “Kosova Thëngjilli” si shitës dhe kompania “Pollog” si investitor, në të cilën janë specifikuar çmimet e kësaj kontratë për linjitin, pllakat e qymyrit. Sipas prokurorisë, ka rezultuar se kontrata është në kundërshtim me marrëveshjen për furnizim me thëngjill dhe vërtetohet me ekspertizën financiare.

Mbrojtja për këtë provë ka deklaruar se nuk ka të bëj me objektin akuzues pasi i takon një periudhe tjetër kohore dhe nuk ndërlidhet me pjesën e aktakuzës dhe kontrata nuk e implikon Zenelin, pasi nënshkrimi i saj, sipas mbrojtjes, është bërë mbi bazën e pohimit na anëtarët e bordit drejtues të cilët kanë qenë në dijeni për negocimin dhe është miratuar.

Kryetari i trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi ka ndërprerë seancën, meqenëse ka konsideruar se duhet të kenë palët më shumë kohë për analizimin e shkresave të lëndës, pasi që kërkohet qartësim sa u përket provave materiale.

Seanca e ardhshme pritet të mbahet më 3 maj, me fillim nga ora 9:00.

Sipas aktakuzës, Tahir Zeneli më 17 mars 2010, si person zyrtar ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Pollogu”, në kundërshtim me vendimin e Bordit të Sh.A. “Kosova Thëngjill”.

Prokuroria pretendon se me veprimet e veta, i akuzuari i ka shkaktuar humbje materiale Shoqërisë Aksionare “Kosova Thëngjill” në shumën prej 130.971,84 euro.