Propaganda serbe, mafia politike dhe medietike, tribalizmi, anarkia politike dhe qasja kundëramerikane po e rrezikojnë Kosovën

12.03.2017 13:16:54

Nga Rexhep Kastrati

Ndikimi i propagandës dhe i politikës serbe në Kosovë nuk është bërë vetëm me rreth 145 milionë euro që janë futur në Kosovë për destabilizimin e saj, dhe të cilat po shihet çdo ditë se kush mund t’i ketë marrë ato. Ndikimi i Serbisë është bërë edhe nëpërmjet deklaratave dhe veprimeve politike, për të cilat kam shkruar herë pas here. Nëpërmjet këtij ndikimi, Serbia ka synuar dhe vazdon të synojë të nxisë shqiptarët në aso sjelljesh dhe veprimesh që janë të dëmshme për vetë ata, duke i mbështjellë me vellon e patriotizmit, si dhe në përcaktimin e liderëve. Këto ka synuar t’i arrijë edhe nëpërmjet një propagande të stisur mirë qoftë medietike, qoftë politike,

Prapaganda medietike dhe politike serbe është ndërtuar nëpërmjet shkrimeve të ndryshme, deklaratave të ndryshme të politikanëve dhe personaliteteve të tjera publike, përfshirë edhe të Kishës serbe, me ç’rast është ndjekur parimi që gjithçka që kritikon Serbia është e mirë për shqiptarët, dhe gjithçka që lavëdron Serbia është e keqe për shqiptarët. Në këtë mënyrë, propaganda medietike dhe politike e Serbisë ka kritikuar, sharë dhe është shprehur keq për njerëzit e saj, apo për njerëzit që i kanë leverdisur asaj, me qëllim që të krijojë simpati te shqiptarët për ta. Në anën tjetër, ka lavdëruar dhe është shprehur mirë për ata që në të vërtetë kanë përfaqësuar dhe përfaqësojnë pjesën e mirë të politikës dhe të angazhimeve publike shqiptare, në mënyrë që të ngjallë antipati dhe urrejtje për ta.

Mjaftonte që Serbia ta kritikonte dikë, dhe menjëherë të merrej kjo si kriter se ishte i mirë për shqiptarët. Në anën tjetër, mjaftonte që të lavdëronte dikë Serbia dhe ky të merrej kriter se ai ishte i mirë për Serbinë. Në historinë e afërt e kemi rastin linjës së Tiranës/Kretës, për të cilën propaganda medietike dhe politike e Serbisë ka thurur shkrime dhe deklarata me të cilat kjo linjë paraqitej si e rrezikshme për Serbinë, ndërkohë që me kalimin e kohës, drejtuesit kryesorë të saj që nga Hashim Thaçi e tutje dolën të jenë spiunë të shërbimeve të ndryshme sekrete kundërshqiptare, përfshirë edhe të shërbimeve sekrete të Serbisë. Në anën tjetër, linja institucionaliste e presidentit Rugova paraqitej se e parrezikshme për Serbinë, madje shfaqeshin edhe deklarata të tilla si: e kemi mirë me dr. Rugovën, por rrezik janë djemtë e luftës, të cilët në fakt dolën shumica njerëz të Serbisë.

Dhe kjo ndodhte, sepse për Beogradin ishte dhe mbetet interes që shqiptarët të mos udhëhiqen nga intelektualë me platforma të studiuara mirë dhe të bashkërenduara me aleatë strategjikë euro-atlantikë, por me injorantë politikë, me strukura mafiozo-politike dhe që nuk kalonin nivelin e një tribalizimi politik. Me fjalë të tjera, Serbisë i leverdiste sjellja injorante politike, si një turmë politike që manipulohej nga spiunë të saj,  e jo nga institucione politiko-shtetërore, jo nga liderë dhe personalitete që ndërtonin sistem sjellje, veprimi dhe politikëbërjeje të studiuar dhe të bashkërenduar me aleatët strategjikë euro-atlantikë.

Imponimi i injorantëve politikë, i rekrutëve shqiptarë të agjenturave kundërshqiptare, i pjesëtarëve të strukurave mafiozo-politike  dhe i kriminelëve si liderë shqiptarë, si heronj shqiptarë, në fakt pati ndikim dhe vazhdon të ketë ndikim shumë të keq në politikëbërjen e shqiptarëve, dhe ka arritur që ta dëmtojë shumë Kosovën dhe çështjen shqiptare në përgjithësi. Falë këtyre, Kosova është ndarë mbi baza etnike, është përfshirë dhe është pushtuar nga strukura mafiozo-politike dhe nga rekrutë shqiptarë agjenturash kundëshqiptare dhe gjatë 19 viteve të fundit ka devalvuar shumë edhe imazhi, edhe pozita e saj ndërkombëtare, edhe raporti e brendshëm shoqëror.

Në aspektin e propagandës medietike e politike, Serbia ka bërë shumë që në Kosovë të krijohet një korpus medietik në gjuhën shqipe që nuk është asgjë më shumë pos zgjatim i korpusit medietik të Serbisë dhe që përçon mesazhet dhe interesat e propagandës medietike dhe politike të Beogradit. Ky korpus medietik si zgjatim i koprusit medietik të Serbisë simbolikisht ka filluar të krijohet para 20 vitesh kur gazeta në gjuhën shqipe u regjistruan në Beograd dhe patën një qasje kundërinstitucionale dhe kundërkombëtare, me qëllim që të thyenin unitetin e shqiptarëve që ishte krijuar nga lëvizja për liri, pavarësi, demokraci në krye me presidentin Rugova, e që pas luftës vazhdoi me shfaqjen e medieve të ndryshme, të cilat, po ashtu, ishin në të njëjtën linjë, madje edhe më agresive dhe më primitive.

Korpusi medietik në gjuhën shqipe, edhe në aspektin përmbajtësor dhe të politikës redaktuese, nga dallonte dhe nuk dallon thuajse fare nga korpusi medietik i Serbisë , i cili u bë burim kryesor i informatave për ngjarje të ndryshme. Ky korpus medietik kontrollohej dhe kontrollohet qoftë drejtpërdrejt nga agjentura të ndryshme kundërshqiptare, qoftë nëpërmjet strukurave mafiozo-politike të kontrolluara nga agjentura kundërshqiptare. Roli i këtij korpusi medietik kundërshqiptar dhe si zgjatim i korpusit medietik të Serbisë, ishte  dhe është që të realizonte dhe të realizojë në gjuhën shqipe propagandën medietike dhe politike të Serbisë, përkatësisht të afirmonte dhe të afirmojë strukurat mafiozo-politike, të afirmonte tribalizimin, anarkinë dhe orientimin kundërperëndimor të shqiptarëve.

18 vjet pas luftës, që përfundoi falë angazhimit unik dhe të papërsërtishëm të NATO-s në krye me SHBA-të, në Kosovë është rritur në kulminacion intensiteti i politikëbërjes tribale, anarkiste dhe të dhunshme, është rritur në kulminacion lartësimi dhe heroizimi i tribalëve politikë, i injorantëve politikë, i pjesëtarëve të strukurave mafiozo-politike, si dhe është arritur që në masë të madhe të cenohet vetëdija shtetërore e shqiptarëve, që institucionet e shtetit të paraqiten si institucione pushtetuese, që populli të shndërohet në turmë.

Në anën tjetër, 18 vjet pas luftës që përfundoi falë angazhimit unik dhe të papërsërishëm të NATO-s në krye me SHBA-të, në Kosovë është rritur intensiteti i qasjes kundërperëdimore dhe kundëramerikane. Pas qëndrimit të hapur të sektës okulte të Albinit me orientim kundërperëndimor dhe kundëramerikan, tashmë edhe pjesa tjetër e linjës së Tiranës/Kretës dhe asaj udbasho-jugosllavokomuniste, po shfaqin hapur qasje të tillë, duke vënë në siklet vetë partnerët tanës strategjikë dhe duke rrezikuar orientimin euro-atlantik të shqiptarëve.

Sot të gjitha këto janë të sintetiruazuara në çështjen e qëndrimit të Ramush Haradinajt në Francë, të cilin po e pararqesin si arrestim, dhe në çështjen e procedimit të projekligjit për FSK-në, të cilat kanë thelluar raportet destruktive dhe të dëmshme me aleatët strategjikë euro-atlantikë, si dhe i kanë dhënë forcë tribalizimit politik, strukurave mafiozo-politike dhe rerkrutëve shqiptarë të agjenturave kundërshqiptare.

Edhe pse de jure, qëndrimi Ramush Haradinajt është çështje e drejtësisë franceze që në sovranitetin e tyre kanë vendosur të trajtojnë ligjërisht një fletarrest ndërkombëtar, megjithatë në aspektin politik kjo po paraqitet si një luftë e Serbisë kundër tij, pasi që siç është shprehur injoranti politik, tribali politik – Pal Lekaj, Ramushi na qenkësh i vetmi që po ia ndalka turrin Serbisë. Dhe ky është kulminacioni i idiotizimit dhe injorancës politike, që më në fund arriti të imponojë axhendën politike dhe diplomatike të Kosovës, duke ndërlidhur një proces ndërkombëtar me lirimin e Ramush Haradinajt, e që është fitorja e parë e madhe e Serbisë, sepse tashmë ka në dorë një mjet të fuqishëm kundër Kosovës – mjetin e fletarresteve me të cilat do të përcaktojë axhendën e shtetit të Kosovës. Madje tash, edhe pajtimin e serbëve dhe shqiptarëve, kanë arritur ta kushtëzojnë me rastin e Ramush Haradinajt, sikur serbët të ishin viktimë, e jo shqiptarët.

Në anën tjetër, me procedimin klandestin, të pakonsultuar dhe të pabashkërenduar të projektligjit për FSK-në, Hashim Thaçi po i jep një goditje të fortë partneritetit stratetgjik me SHBA-të dhe NATO-n, dhe sigurisë së Kosovës, e që rrezikon të thellohet nëse nuk do të gjenden mënyra për të rikthyer në normalitet vetë procesin e shndërrimit të FSK-së në FA, si dhe partneritetin me partnerët strategjikë euro-atlantikë në krye me SHBA-të. E ky porces ka filluar me SHBA dhe NATO-n, dhe mund e duhet të përfundojë me ta. Çdo formë tjetër, është në dëm të shqiptarëve, është në dëm të Kosovës.