Protesta e 13 majit, Berisha: Do jetë paqësore, por Rama do tmerrohet

11.05.2017 12:46:01

Ish-kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar protestën e 13 majit si më madhështoren, më demokratiken dhe më të fuqishmen në historinë e demokracisë shqiptare.

Berisha falënderoi qytetarët e Kavajës që sipas tij e detyruan kryeministrin Rama të dorëzohet dhe të kapitullojë.

“Kavaja i tha Ramës se data 7 në Kavajë do jetë fundi, i dha të njëjtin mësim që i dhanë Ramiz Alisë më 20 shkurt të 1991, kur u përgatit me tanke të pushtonte Tiranën. Mirënjohje e madhe për Kavajën që e bën Ramën të dorëzohet, të kapitullojë, e të tërhiqet. Çadra e lirisë është e të gjithë qytetarëve shqiptarë që duan lirinë, është një frymëzim për mbarë shqiptarët, që të dalin në 13 maj të protestojnë në ditën e triumfit dhe protestës më të fuqishme, më madhështore, më civile, në historinë e protestave në Shqipëri. I bëj thirrje qytetarëve të Tiranës të hapin dyert e tyre për gjithë njerëzit që do vijnë në protestë”.

Ai tha se Rama është i tmerruar nga protesta e 13 majit: “Më 13 maj do vërshojnë tërë shqiptarët, që e ndiejnë veten të mashtruar nga premtimet e Ramës. Nuk kanë lindur kurrë ata burra që duan të varrosin pluralizmin shqiptar. Të ftoj të qëndrosh në atë dritare me 13 maj e të garantoj që ne protestën e kemi paqësore, por Edvin, çadra do të duket Everest, do shikosh ti cila është çadra, do tmerrohesh. Të gjithë në Tiranë në mbrojtje të pluralizmit e votës së lirë”, – ishte thirrja e Berishës.