Protesta kundër landfillit, ndalohet një banor i Mbrostarit, dy në kërkim

20.11.2016 10:10:02

Policia e Fierit ka bërë ndalimin e një prej protestuesve të një dite më parë në Mbrostar, ndërsa kanë shpallur në kërkim dy të tjerë.

Policia bën me dije se ka ndaluar shtetasin Zylyftar Delibashi, 65 vjeç, banues në fshatin Vajkan, Fier.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim policor e shtetasit F.M, 31 vjeç, banues në Mbrostar Ura si dhe u referuan materialet Prokurorisë Fier për shtetasin E.D, 28 vjeç, banues në fshatin Vajkan.

Të tre këta shtetas akuzohen për pjesëmarrje në tubim të paligjshëm. Në vendin e quajtur “Mbrostar Ura”, në mënyrë të përsëritur të tre këta shtetas kanë marrë pjesë në tubim të paligjshëm dhe kanë qenë aktiv në bllokimin e rrugës nacionale Fier-Lushnje.

Banorët e Mbrostarit protestuan të shtunën për të pestën ditë me radhë kundër ndërtimit të landfillit në hyrje të fshatit të tyre. Ata shprehen të vendosur për të mos lejuar ndërtimin e impiantit të djegies së plehrave pavarësisht vendimit të bashkisë.