Protesta në Pejë është shumë paqësore

27.08.2016 14:37:42

Policia rajonale e Pejës ka dhënë informata për protestën e sotme e cila u mbajt në sheshin e qytetit të Pejës, për të kundërshtuar demarkacionin me Malin e Zi.

Sipas policisë, protesta ka kaluar e qetë dhe pa incidente, derisa njësitet policore kishin ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme për mbarëvajtjen dhe sigurinë e qytetarëve.

Lexoni njoftimin e plotë të policisë:

Ju informojmë se më datë 27.08.2016 rreth orës 12:00 në sheshin e qytetit në Pejë, janë mbledhur numër i konsiderueshëm i qytetarëve nga regjioni i Pejës dhe regjione tjera për të protestuar kundër ratifikimit të Demarkacionit me Malin e zi.

Organizatorët dhe protestuesit kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë së vendit dhe komisionit shtetëror të Demarkacionit.

Qytetarët kanë bartur pankarta në duar duke kërkuar mosratifikim të demarkacionit dhe marrëveshje me Malin e zi për kufirin.

Njësitet Policore që nga fillimi i kësaj proteste deri ne përfundim kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbarëvajtjen dhe sigurinë e qytetarëve dhe i gjithë ky aktivitet nga qytetarët ka kaluar qetë, pa incidente.