Provat e Serbisë për Specialen mund të jenë të manipuluara, tha Koci

15.07.2017 17:19:40

Avokati Arianit Koci, ka shprehur shqëtesimin e tij për shkak të takimeve nga ana e zyrtarëve të Gjykatës Speciale me Presidentin e Serbisë, Aleksander Vucic. Ai ka shprehur habi për shkak të mungesës së reagimit zyrtar nga institucionet e Republikës së Kosovës për këtë.

Avokati Koci, i tha Radio Kosovës, se pas këtyre takimeve, nuk ka siguri që provat të cilat Serbia mund t’ia ofrojë Gjykatës Speciale, të  mos jenë të manipuluara.

Koci, tha se është e pafalshme që institucionet kompetente të Shtetit të Kosovës nuk kanë reaguar lidhur me takimet kohëve të fundit të zyrtarëve të Gjykatës Speciales me zyrtarët më të lartë të Serbisë, përfshirë këtu edhe presidentin Aleksander Vuçiq, për faktin se, Gjykata Speciale, formalisht është pjesë e sistemit kosovar të drejtësisë.

Avokati Koci i tha Radio Kosovës se pas këtyre takimeve, nuk ka siguri që provat të cilat Serbia mund t’ia ofrojë Gjykatës Speciale, të  mos jenë të manipuluara:

“Unë jam kundër që Gjykata Speciale të fillojë me procedurat penale, me informacione që i ofron armiku i ynë, pra në këtë rast përfaqesuesit e pushtetit dhe bijtë e regjimit gjenocidal të Millosheviqit. Pyetja shtrohet se sa munden me qenë kredibile provat që i ofon Vuciqi dhe klika e tij?!  Kjo është shqetsimi im, jo fakti që po hetohen çështjet e ngritura nga Dik Marti. Ato duhet të hetohen dhe besoj që që do të hetohen deri në fund dhe kanë për tu zbardhë këto çështje, por nuk mund të kemi ne siguri, që nuk do të mund të manipulohen provat” tha Koci.

Ai theksoi se “trashëgimtarët e politikës së Millosheviqit kanë interes esencial që luftën e UÇK-së ta njëllosin sa më shumë. Prandaj, sipas tij, institucionet e Kosovës, duhet t’i parandalojnë subverzionet informative të organeve të sigurisë së Serbisë”.

Ndryshe, mediet në Kosovë kanë raportuar se Ministria e Jashtme e Kosovës është e njoftuar për aktivitetet e Speciales në Serbi dhe takimet e zyrtarëve të kësaj Gjykate me Presidentin serb, Vuçiq.