PS: Gjyqtarët që nuk kalojnë ‘Vetting’-un, jashtë listave të zgjedhjeve

13.02.2017 13:55:40

Në emër të Grupit Parlamentar Socialist, deputeti Taulant Balla ka propozuar ndryshime në kodin zgjedhor, duke ftuar opozitën të bashkëpunojë.

Në një deklaratë për mediat, Balla tha se do propozojnë që asnjë gjyqtar apo prokuror që nuk ka kaluar në procesin e “Vetting”-ut nuk do të ketë mundësi të kandidojë në zgjedhjet e 18 qershorit.

“Propozimi që ne do të depozitojmë sot ka të bëjë me një shtesë në kodin zgjedhor që parandalon përfshirjen në listën e kandidatëve të gjithë ata gjyqtarë apo prokurorë të cilët kanë dhënë dorëheqjen dhe nuk i janë nënshtruar procesit të “Vetting”-ut, ose e kanë plotësuar formularin e vetëdeklarimit, por procesi i rivlerësimit nuk ka përfunduar. Ky është një hap i rëndësishëm sepse sikurse Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar edhe ligjin për parandalimin e personave me rekorde kriminale që të përfshihen në procesin zgjedhor, kështu edhe gjyqtarë apo prokurorë që nuk kanë kaluar vettingun apo nuk e kanë përfunduar procesin e rivlerësimit nuk mund të përfshihen në listat zgjedhore”.

Balla nënvizoi se mazhoranca kërkon të merret në konsideratë dhe të diskutohet nga komisioni për reformën zgjedhore në rast se PD vazhdon të bojkotojë komisionin, “ne do ta depozitojmë krahas propozimeve të tjera në rrugët që përcakton rregullorja”.