PSD FTON OPOZITËN TË BASHKOHET NË BISEDIMET ME SERBINË

15.12.2018 22:30:48

Dardan Sejdiu nga Partia Socialdemokrate, pas votimit të projekt-rezolutës mbi procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka ftuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës që të bashkëngjiten, për siç tha ai “të përfundojnë betejën me Serbinë së bashku”.

“Mekanizmi i vendimmarrjes në delegacion shtetëror i garanton opozitës sigurisë për çdo vendim, dhe kjo është tepër me rëndësi. Sa i përket rrugës përpara vetëm duke u forcuar në këtë delegacion opozita, sigurohemi që asnjë vendim, të cilin ne e konsiderojmë që është i gabuar mos të kalojë. Por gjithsesi krejt këta mekanizma janë ndërtuar duke u nisur nga parimet që i kanë folur secili subjekt opozitar tash e 6 muaj. Asnjë fjali në këtë ligj dhe asnjë fjali në këtë rezolutë nuk është e kritikuar deri tash, pra përmbajtësisht ata pajtohen, dhe unë i lus që edhe politikisht të bashkëngjiten dhe të përfundojmë betejën me Serbinë së bashku”, tha ai.

Kuvendi i Kosovës sot ka miratuar projekt-rezolutën mbi procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Projekt-rezoluta ishte propozuar nga PSD, dhe mbështetur edhe nga partitë tjera të pozitës.

Ekipin do të udhëheq Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti.