Pse Daçiq kërcënon me shpërthim baroti?

29.03.2017 10:41:03

Nga Rexhep Kastrati

Pasuesi i Milosheviqit në krye të SPS-it, si dhe një nga zyrtarët më të lartë të Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se shteti i tij ka edhe siguresën për shpërthimin e barotit, edhe dialogun. Kjo deklaratë është një nga deklaratat më serioze që tregon se destabiliteti rajonal dhe më gjerë, si dhe logjika milosheviqiane luftënxitëse janë në axhendën e Serbisë. Pra, me këtë deklaratë, Daçiq ka konfirmuar se Serbia është faktor destabiliteti në rajon.

Në rrethana normale ky do të përbënte një skandal diplomatik dhe do të pasohej me qëndrime të qarta dhe të prera kundërshtuese nga ana e diplomacisë botërore. Mirëpo, përkundër qartësisë së shpërfaqjes së kërcënimit nga ana e Daçiqit, ende nuk ka ndonjë reagim që do të shprehte shqetësimin dhe kundërshtimin e diplomacisë botërore. Kjo shpjegohet me kontekstin e ç’akorduar të diplomacisë botërore, enë mënyrë të veçantë të asaj evropianoperëndimore lidhur me parimet thelbësore mbi të cilat ka funksionuar deri tash, e që janë parime të paqes dhe të stabilitetit në rajon.

Kur them këtë kam parasysh faktin se gjithnjë e më shumë po shfaqen zëra se BE-ja e ka lënë anash Ballkanin Perëndomor, se është rritur roli i Rusisë në këtë rajon, dhe se ka rrezik të shpërthejë një luftë e re pikërisht në Ballkan. Deklarata e fundit e Zhan Mari Lë Pen, kandidate e së djathës ekstreme për presidente të Francës, se BE po vdes dhe se po u bë presidente do ta tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës, duket se e ka trimëruar Serbinë dhe ia ka lehtësuar shpërfaqjen e qëndrimeve luftënxitëse të saj.

Në gjithë këtë rrëmujë diplomatike, Serbia po e rikërkon rolin e saj dominues në rajon si përcaktuese e paqes dhe e luftës, duke dëshmuar se mendësia hegjemoniste, dhe dominuese mbi të tjerët që është projektuar që nga “Naçrtanja” e vitit 1874 e deri të Memorandumi i ASHAS-it, e vitit 1986, e që ishte veçori kryesore e regjimit të Milosheviqit, është po aq e fuqishme, sa edhe në kohën e tij. Në fakt, deklarata e këtillë e Daçiqit nuk është një deklaratë e pamenduar dhe e pastudiuar, për faktin se shtete të ndryshme të BE-së dhe në pëgjithësi shtete të ndryshme edhe perëndimore, nuk kanë pushuar kurrë së mbështeturi Serbinë dhe pretendimet e saj.

Duhet të kujtojmë me këtë rast se Fransua Miteran, presidenti i Francës gjatë pjesës së parë të viteve ’90 të shekullit të kaluar ishte deklaruar se ishte pro një kombi të fort në Ballkanin Perëndimor, dhe këtë rol ia dedikonte Serbisë, madje edhe nëse duhej të zhdukej ndonjë komb tjetër, e që e kishte fjalën për boshnjakët. Së këndejmi, edhe deklarata e Lë Penit nuk është thjesht një rastësi, por në vazhdën e angazhimeve shtetërore të Francës, dhe si e tillë, shpërfaq angazhimet kundërglobaliste të të këtij shteti, si dhe vazhdimësinë e qasjeve tradicionale që ky shtet ka mbajtur lidhur me rajonin tonë. Kjo është konfimruar edhe në kohën e bombardimeve të NATO-s, kur oficerë francezë kanë pas dekonspiruar operacionet bombraduese të saj, me angazhimin e Kushnerit për ta shmangur presidentin Rugova para se ai të kthehej nga Italia, si dhe me moskundërshtimin e idesë për ndarjen e Kosovës, që Kushner e kishte shprehur në beograd në cilësinë e ministrit të Jashtëm të Francës. Kur është fjala për kohën e luftës në Kosovë, Franca, po ashtu është munduar të ndikojë nëpërmjet drejtuesve politikë të UÇK-së, kryesisht nëpërmjet Hashim Thaçit, por edhe të tjerëve: Gjatë viteve të funditduket se ka përfshirë edhe Albin Kurtin, i cili për një portal francez për politikë të jashtme ka deklaruar se venndet e QUINT-it nuk janë pesë, por dy, duke aluduar në SHBA-të dhe Gjermaninë. E së fundmi, lojën e fundit që po e bën Franca është loja me Ramushin, që po e mbajnë për të ndikuar në skenën politike në Kosovë, për ta heroizuar dhe për ta viktimizuar.

Mirëpo, nuk është vetëm Franca që ka rikthyer hapur kontekstin klasik gjeopolitik e gjeostrategjik, por edhe shtete të tjera si, Spanja dhe shtete të ndryshme edhe jashtë Evropës Perëndimore dhe në përgjithësi jashtë Evropës që janë rikthyer në kontekste gjeopolitike e gjeostrategjike klasike, e që janë kontekste gjeopolitike e gjeostrategjike luftënxitëse, aleancash dhe traktatesh që kanë sjellë dy lufta botërore, dy lufta ballkanike dhe shumë lufta të tjera regjionale, sidomos në Afrikë dhe në Azi. Dhe kjo po ndodh për shkak të krizës që ka pësuar globalizimi si ideologji, si filozofi, dhe si formë e rregullimit të botës.

Me këtë krizë, e që është edhe krizë e filozofisë politike moderne, por që ka nevojë të trajtohet në një rast tjetër, krizë e marrëdhënieve ndërmjet qytetërimesh, por edhe krizë e multikulturalizmit, janë rikthyer demonët e së kaluarës, demonët e konflikteve dhe të luftave gjatë të cilave njerëzimi ka derdhë shumë gjak, bota ka pësuar shumë dëme dhe kur janë vënë në dyshim baraspeshat botërore dhe konceptet themelore të traditës dhe të qytetërimeve botërore.

Në këtë kontekst, Serbia po synon që të thellojë këtë qasje negativiste, kundërglobaliste për të vënë veten në shërbim të gjithë atyre që kanë qasje të këtillë, por edhe për të shantazhuar pjesën tjetër që të mos bënin trysni ndaj saj, dhe për të mos kundërshtuar rolin e saj dominues në rajon. Në kontekste të gjera, kjo duhet të kuptohet edhe si mundësi që i është dhënë Serbisë edhe për shkak të angazhimeve të mëdha ruse për t’u rikthyer në Ballkanin Perëndimor, për të kërcënuar paqen dhe stabilitetin në rajon, përkatësisht BE-në dhe shtete të tjera që me politikat e tyre kanë afirmuar vlerat thelbësore të lirisë dhe të barazisë, e që Serbinë e ka vënë në pozitë jodominuese në rajon.

Në aspektin rajonal, duhet thënë se synimin për të rikthyer rolin e saj dominues, Serbia e ka shpërfaqur me idenë për një union doganor, që është një formë e kamufluar e dominimit të saj, por e ka shpërfaqur edhe Edi Rama, i cili ishte deklaruar pro një tregu unik dhe të përbashkët rajonal jashtë CEFTA-s dhe jashtë lidhjeve kontaktuale me BE-në, siç është edhe MSA-ja. Prandaj, edhe kundërshtimi i tyre është edhe kundërshtim i dominimit serb në rajon, është kundërshtim i rritjes dhe fuqizimit të koncepteve hegjemoniste, është kundërshtim i koncepteve kundërglobaliste.