I pyetur se përse nuk jep dorëheqjen pas protestave të opozitës, Rama shpjegoi arsyet e tij, ndërsa shtoi se nuk i hap rrugë budallait.
“Sepse kryeministri nuk është kapiteni i një skuadre me porta të vogla që ndeshet me skuadër tjetër tek oborri i kinostudios, është i mandatuar për një kontratë dhe nuk mund ta prishë. Nëse do të bënte këtë kryeministri do i bënte së pari një padrejtësi të madhe vendi dhe së dyti një karshillëk të papranueshëm atyre që i kanë dhënë atë detyrë dhe së treti të ardhmes, pasi nesër, të tjerë do të bënin të njëjtën gjë. Është rregull bazik.
Nuk jemi në kushtet e karshillëkut por të një përgjegjësie të madhe. Nuk funksionon me ‘hapi rrugën budallait” Fare! Ju keni të drejtën tuaj të mendoni se të jesh në këtë vend që jam unë është qejf, apo një gjë personale që e ke dhe e jep apo e mban. Për mua jo, është mision i ngarkuar nga shumica e shqiptarëve. Sikur të ishte për të gjithë ato aspekte të pushtetit që shumëkush nga larg i shikon si privilegje, favore, sot ju thosha hajde t’ju jap çfarë të doni, – kafe, çaj apo raki- se po iki. Nuk jam këtu për ato aspekte. Nuk kam qenë që herën e parë pavarësisht se disa nuk e besojnë. Janë arsye të forta.”






































