Pse po keqinterpretohet Ulrike Lunaçek?

11.11.2016 00:11:40

Nga Rexhep Kastrati

Ulrike Lunaçek erdhi në Prishtinë dhe përsëriti kushtet që duhet t’i plotësojë Kosova për liberalizimin e vizave: ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi dhe lufta kundër krimit të organizuar. Por këto nuk janë kushte të reja: këto janë kushte që Kosovës i janë vënë edhe kur është bërë rekomandimi për liberalizimin e vizave. Pra, në këtë drejtim nuk është thënë gjë e re, por e re është tendenca për të keqinterpretuar një deklaratë të Ulrike Lunaçek, të cilën e bënë edhe kuvendarë të opozitës, por edhe Vjosa Omsani, e cila ka kohë që nën siglën e LDK-së shpreh qëndrime dhe realizon angazhime të opozitës. Dhe deklarata që është keqinterpretuar është ajo që ka të bëjë me sigurinë dhe garancinë se me ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion, a do të bëhet liberalizimi i vizave. Deh përgjigjia e Ulrike Lunaçek ishte se nuk është e sigurt, nëse nuk luftohet krimi i organizuar. Dhe kjo është deklarata më e sinqertë dhe më e saktë që mund të jepte, sepse së pari nuk është ajo që vendos për liberalizimin e vizave, prandaj edhe nuk mund të jetë shprehë siguri të plotë për këtë, dhe së dyti, është shumë e kuptueshme që të mos jetë e sigurt se a do të liberalizohen vizat me ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, në të kundërtën nuk do të bëhej fjalë për dy kushte, por për një. Po ashtu, edhe po të mund të përgjigjej ndryshe,atëherë do të mund të inkurajonte ata që e kanë penguar dhe e pengojnë luftën kundër krimit të organizuar. Por si e tillë, kjo deklaratë nuk e ka përjashtuar as mundësinë që të ndodhë liberalizimi i vizave me ratifikimin e Marrëveshjes për demakracion, me argumentin e qartë se lufta kundër krimit të organizuar nuk është një moment i dhënë, por një proces i gjatë dhe i vazhdueshëm. Pra, me shumë gjasë me ratfikimin e Marrëveshjes për demarkacion do të ndodhte liberalizimi vizave, duke e vlerësuar luftën që është bërë kundër krimit të organizuar dhe do të ishte kërkuar edhe më tej që kjo luftë të vazhdojë, ashtu siç është rekomanduar hapja e negociatave për shtetin shqiptar për anëtarësim në BE, kundrejt kushteve të caktuara edhe më parë. Pra, Ulrike Lunaçek as nuk ka pohuar, por as nuk ka mohuar mundësinë e liberalizimit të vizave pas ratifikimit të Marrëveshjes për demarkacion.

Por Ulrike Lunaçek ishte shumë e qartë se zyrtarisht janë dy kushte që duhet plotësuar Kosova: demarkacionin dhe luftën kundër krimit të organizuar   Pra, nuk ka asgjë të paqartë këtu. Dhe nuk ka pasur të paqartë as kur është bërë rekomandimi për liberalizimin e vizave, sepse edhe atëherë është kërkuar edhe luftimi i krimit të organizuar. Dhe për këtë qëllim, ndodhi arrestimi i Azem Sylës dhe grupit të tij. Mirëpo, arrestimi i Azem Sylës dhe i grupit të tij shkaktoi reagime të shumta, kurse vazhdimi i arrestimeve në funksion të luftës kundër krimit të organizuar, do të ngjallte reagime edhe më të forta, e pse jo edhe përplasje brenda partive politike, sidomos të PDK-së dhe partive opozitare. Prandaj, u shpik kauza për demarkacion, për të mbajtur në tension dhe në presion insitucionet shtetërore që të mos mund të merret me luftimin e krimit të organizuar. Pra, demarkacioni ka mbetur peng i frikës që kanë partitë politike nga pasojat e luftës kundër krimit të organizar. Në emër të demarkacionit, vendi është ballafaquar me protesta, me dhunë dhe me përpjekje për destabilizimin e vendit. Pra, në emër të demakrkacionit u synua dhe po synohet që të rrënohen institucionet e shtetit që të mos ketë kush të merret me luftën kundër krimit të organizuar. Së këndejmi, edhe është gjithë ky angazhim për të penguar me çdo kusht ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit dhe bllokimin e institucioneve shtetërore. Dhe në këtë kuptim është shumë e qartë se porblemi nuk është as të Këshilli i Evropës që po u bëka padrejtësi qytetarëve të Kosovës, as te deklarata e Ulrike Lunaçekut, por te partitë shqiptare, kryesisht te PDK dhe te partitë opozitare që kanë frikë nga lufta kundër krimit të organizuar. Dhe Hashim Thaçi para se të bëjë deklarata tipike si të Edi Ramës kundër BE-së, dhe para se ta fajësojë atë për mosliberalizim të vizave, duhet të angazhohet seriozisht për luftën kundër krimit të organizuar. Edhe Kadri Veseli, para se të shantazhojë me zgjedhje që e di se mund t’i shohë veç në endërr, duhet ta marrë seriozisht luftën kundër krimit të organizuar, dhe t’i thotë satelitit të PDK-së, sektës okulte të Albinit që të mos marrë më qafë njerëz dhe të qetësohet.

Lufta kundër krimit të organizuar dhe Gjykata speciale janë dy realitete para të cilave janë fort të parëndësishëm fatet individuale të njerëzve, apo të forcave politike, sepse nga këto varet edhe konsolidimi i shtetit dhe i sundimit të ligjit. Pa këto, jo liberalizim të vizave, por edhe sikur të na pranonin anëtarë të BE-së nuk bën qare. Prandaj, së pari duhet të heqin dorë nga keqpërdorimi i çështjes së demarkacionit, dhe të fokusohen në procesin e konsolidimit të shtetit dhe të sundimit të ligjit. Pra, duhet të ratifikohet Marrëveshja për demakrkacion dhe të mos pengohet lufta kundër krimit të organizuar. Për shkak se disa individë janë peng të së kalurës së tyre dhe fshihen mbrapa forcave të ndryshme politike, dhe mbrapa keqpërdorimit të ndjenjave të qytetarëve. Pra, edhe Këshilli i Evropës, edhe Ulrike Lunaçek ishin  shumë të qartë, dhe edhe analfabetët dhe injorantët politikë e medietikë e kanë të qartë se janë duke e mbajtur peng vendin vetëm pse kanë frikë të ballafaqohen me drejtësinë vendore dhe atë ndrëkombëtare. Dhe ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacion është hapi i parë i rëndësishëm që duhet të bëhet dhe që mund t’ia lehtësojë Kosovës edhe liberalizimin e vizave dhe që mund të mundësojë që energjitë dhe angazhimet shtetërore të përqendrohen në zhvilim, në konsolidim dhe në forcim të shtetit ligjor, i cili do ta bënte më efektive edhe luftën kundër krimit të organizuar.