Publikohet marrëveshja e bashkëqeverisjes që u nënshkrua nga Mustafa e Haradinaj

29.04.2020 13:38:16

Sot, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkëqeverisje.

Sipas dokumentit të nënshkruar nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe Isa Mustafën thuhet se çdokush në kabinet që mund të ketë aktakuzë, do të shkarkohet.

Objektivat themelore të koalicionit janë: beteja për ta mposhtur pandeminë e COVID-19, përmbyllja e dialogut me Serbinë dhe njohjen reciproke, rimëkëmbja ekonomike, forcimi i shtetit ligjor përmes luftës kundër krimit dhe korrupsionit dhe formimi i partneritetit me BE-në dhe SHBA-në.

Dokumenti 14 pikësh thotë se zv/kryeministër do të jetë Besnik Tahiri, ministre e Jashtme Meliza Haradinaj, ministër i Drejtësisë Selim Selimi, ministër i Zhvillimit Ekonomik Blerim Kuçi dhe ministër i Arsimit Ramë Lika.

Në këtë koalicion ku bëjnë pjesë edhe Nisma, AKR, Lista Serbe dhe komunitetet tjera joshumicë, AAK do të ketë pozitën e Zëvendëskryeministrit të parë, Ministrinë e Jashtme, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Arsimit.