Punimet në lagunën e Karavastasë alarmojnë mjedisorët

30.07.2016 16:36:51

Nga Arben Velo

Punimet e ndërmarra nga një shoqatë peshkatarësh për thellimin e një kanali në lagunën e Karavastasë, kanë alarmuar organizatat e mbrojtjes së mjedisit, të cilat shprehen se ndërhyrja po kryet pa leje mjedisore dhe vlerësim ndikimi në mjedis në një zonë të mbrojtur nga konventa ndërkombëtare.

Një mjet i rëndë i quajtur “dragë” i instaluar në një nga kanalet e lagunës së Karavastasë në Divjakë me qëllim thellimin e tij, ka sjellë debate mes organizatave mjedisore, pushtetit vendor dhe Organizatës për Menaxhim e Peshkimit në Divjakë, OMP.

Organizatat mjedisore shprehen se punimet e ndërmarra nga OMP për thellimin e kanalit janë në kundërshtim me ligjet mjedisore dhe konventat ndërkombëtare, dhe rrezikojnë dëmtojnë e habitatin legatinorë ku folezojnë shpendë dhe specie të rralla.

“Ndërhyrja është planifikuar të kryhet në zonën më të brishtë të Parkut, në dunat ranore shumëshekullore, dhe vijat e ujit që e bëjnë Divjakën jo vetëm një perlë të natyrës shqiptare por edhe asaj botërore,” tha në një postim në Facebook Shoqata Shqiptare e Orintologjisë, AOS.

“Vendi ku dimërojnë me dhjetëra mijëra shpend, vendi ku folezojnë lloje të rralla e të mbrojtura botërisht sot kërcënohet nga papërgjegjshmëria e një institucioni që nuk pyet për ligjin,” AOS shtoi.

Kritike për punimet në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta ishte dhe Shoqata e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri, PPNEA, e cila u shpreh nëpërmjet  një njoftimi për shtyp se punimet në këtë zonë janë të ndaluara.

“Zona ku po kryhen punimet është rreptësisht e ndaluar të ketë ndërhyrje të tilla pasi thyen të gjitha ligjet mjedisore si për zonat e mbrojtura, që në këtë rast ka statusin e Parkut Kombëtar apo dhe konventën ndërkombëtare Ramsar ku laguna e Karavastasë si zonë qendrore e parkut mbrohet që prej vitit 1995 si një ligatinë me rëndësi botërore,” u shpreh PPNEA.

“Për më tepër laguna e Karavastasë është identifikuar si një Zonë Parësore e Biodiversitetit, zonë Emerald dhe një biotop CORINE, klasifikime që theksojnë rëndësinë ndërkombëtare të kësaj zone për ruajtjen e diversitetit biologjik,” shtoi ajo.

Sipas AOS dhe PPNEA punimet në kanalin Vaun brenda parkut kombëtar të Karavastasë kanë për qëllim thellimin e tij në mënyrë që ai të bëhet i lundrueshëm për varka.

Ndërkohë, Organizata për Menaxhimin e Peshkimit në Divjake shprehet se ka ndërhyrë në kanal për ta thelluar atë pasi ai rrezikon të bllokohet pas dekadash që nuk është pastruar.

“Me këtë dragë të fuqisë së vogël ne kemi ndërhyrë dhe po pastrojmë gjurmët e kanalit të bllokuar prej vitesh,” i tha BIRN anëtari bordit të OMP-së Ilia Dhamo.

“Kjo është e detyrueshme pasi në të kundërt laguna asfiksohet dhe fauna vdes për shkak të mosqarkullimit të ujit nga deti në lagunë dhe anasjelltas,” shtoi ai.

Dhamo pretendon se punimet që po kryen nga shoqata e tij jo vetëm që nuk ndikojnë negativisht në florën dhe faunën e lagunës por e mbrojnë atë. Edhe pse shoqata nuk ka leje për punimet, ai pretendon që thellimi i kanalit është pjesë e statutit të saj të regjistruar në gjykatë.

“Thjesht po pastrojmë kanalin afër qendrës së peshkimit dhe jo përgjatë gjithë lagunës,” tha ai. “Ky thellim kanali ndikon drejtpërdrejt në ruajtjen e pelikanit dhe të faunës, pasi ushqehet laguna me ujë dhe specie deti me të cilët ushqehen pelikanët,” shtoi ai.

I pyetur nga BIRN kryetari i bashkisë së Divjakës Fredi Kokoneshi tha se institucioni që i drejton nuk kishte lidhje me thellimin e kanalit por i dha te drejtës shoqatës së peshkimit, duke u shprehur se thellimi kanalit nuk kishte ndikim në mjedis..

“Ne kemi mbikëqyrur vendosjen e kësaj drage, e cila po pastron dhe thellon kanalet ekzistuese, [por] bashkia Divjakë nuk ka asnjë lidhje me këtë shoqatë dhe me këtë ndërhyrje,” tha ai. “Kjo është e drejtë e shoqatës dhe nuk ka ndikim mjedisor,” Kokoneshi shtoi, pa shpjeguar se ku e bazonte përfundimin e tij.