Punimet në lumin Mirusha lënë gropa të rrezikshme

17.08.2016 19:30:24

Këto punime filluan pardje në Lagjen “Rexhep Dajkovci” disa orë pasi banorët e kësaj lagjeje protestuan kundër kundërmimit të padurueshëm të ardhur nga kanalizimi i derdhur në këtë lumë.

Këta banorë derdhën simbolikisht pak ujë të lumit para derës së hyrjes së objektit ku ndodhet zyra e Lutfi Hazirit që është e vendosur vetëm 2 minuta larg lagjes së banorëve që protestuan.

Mirëpo gjatë punimeve në shtratin e lumit, ekskavatorët e kontraktuar nga komuna nuk janë kujdesur për sigurinë publike.

Organizatori i protestës së pardjeshme Ruzhdi Morina dërgoi në KALLXO.com fotografi të gjendjes aktuale afër këtij lumi.

Morina tregoi edhe thellësinë e gropave të krijuara në lumë.

“Gropat janë të hapura diku afër 3 metra,” tha  Morina për KALLXO.com.

KALLXO.com kontaktoi Arbër Ismajlin, shefin e kabinetit të kryetarit Lutfi Hazirin dhe vetë Lutfi Hazirin, për ata nuk iu përgjigjën interesimit për të folur rreth punëve që po kryhen në Lumin Mirusha.

Siç shihet edhe në fotografitë e dërguara nga Morina  aty mungon shiriti parandalues që njofton se kjo pjesë është e rrezikshme.

Lagjja “Rexhep Dajkovci” është e stërbanuar dhe lëvizjet edhe të fëmijëve janë të shpeshta në këtë zonë.