Puntorët e shëndetësisë: Ose rritje page ose greva

05.01.2018 14:23:31

Fillimi i muaji shkurt do t’i sjellë në kolaps të gjitha institucionet publike shëndetësore, në rast se Qeveria e Kosovës nuk do t’i rrisë pagat prej 30 për qind, ashtu siç ka premtuar gjatë fushatës elektorale. Kështu bëri të ditur për Radio Kosovën  Blerim Syla, kryetar i Federatës  Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës.

Gjatë fushatave elektorale premtimet e politikanëve janë pothuajse të njëjta, “se shëndetësia do të jetë prioritet dhe se punëtorët shëndetësorë do të kenë ngritje të pagave dhe përmirësim të kushteve të punës”.

Mirëpo, realiteti po del të jetë i kundërt, andaj kësaj radhe punëtorët shëndetësorë do të hynë në grevë të përgjithshme, ku muaji shkurt nuk do të jetë i qetë, tha për Radio Kosovën Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë se Kosovës.

“Ne e kemi pasur një marrëveshje të nënshkruar para zgjedhjeve ku është premtuar 30% e rritjes së pagave dhe fillimi i pagesës për kujdestari. Ky është premtim i nënshkruar, nuk është vetëm gojor –atëherë ata janë qeveri edhe mund të mos e mbajnë premtimin,por kjo i bien qe ata po i legalizojnë premtimet gënjeshtra gjatë fushatës elektorale”, tha Syla.

Ai tha se si sindikatë janë për  dialog, por, sipas tij, qeveritarët nuk po e dëshirojnë një gjë të tillë.

“Kam frikë se do të vjen deri të paralizimi i të gjitha institucioneve nëse nuk  vazhdohet me këtë neglizhencë. Ne jemi për paqe sociale, por si duket dikujt nuk po i intereson paça sociale”, shprehet ai.

Përfaqësues të Sindikatës së Shëndetësisë, kanë zhvilluar takime me ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili, ku kanë konfirmuar edhe një herë kërkesat e punëtorëve shëndetësorë, e që janë: ligji i pagave, të shtyhet procesi i ri licencimit për punëtorët shëndetësorë si dhe rritja e pagave prej 30  për qind, ka thënë Syla.