Putin dhe Erdogan: Dy vaksinat tona do t’i bëjmë të disponueshme për të gjithë njerëzimin

22.11.2020 11:53:12

Gjatë samitit virtual të G20, presidenti rus Vladimir Putin iu tha liderve të vendeve më të industrializuara të botës, se Rusia është gati t’ia sigurojë vaksinën e saj kundër Covid-19, cdo vendi tjetër të botës, që ka nevojë.

Këtë javë, mes luftës së kompanive dhe shteteve për të siguruar një vaksinë efikase kundër koronavirusit, Rusia tha se vaksina e saj “Sputnik V” ishte 92% efektive.

Ndërkohë Putin lajmëroi se Rusia ka në fazën e saj finale të testimeve edhe një vaksinë të dytë dhe të tretë, për të krijuar atë që e cilësoi “Një portofol të vaksinave të sigurta”.

Edhe presidenti Turk Erdogan deklaroi dje të njëjtën gjë.Ai theksoi se ishte shumë i kënaqur për të marrë lajme inkurajuese në lidhje me vaksinën e bërë nga dy shkencëtarë me origjinë turke në Gjermani.

“Por, këtu ka një pikë që duhet adresuar. Vaksinat e zhvilluara duhet të jenë në dispozicion dhe pronë e përbashkët e të gjithë njerëzimit, në vend që të thellojnë padrejtësitë ekzistuese. Në këtë kontekst, platforma G20 duhet të zhvillojë dhe menaxhojë mekanizmat për të siguruar një qasje të drejtë ndaj vaksinave për të gjithë. Turqia, e cila aktualisht po punon në gjithsej 16 projekte të vaksinave, në njërën prej të cilave kemi filluar testimin tek njerëzit, vepron me këtë kuptim. Vaksinën të cilën do ta prodhojë Turqia, do ta bëjmë të disponueshme për të gjithë njerëzimin”, tha Erdogan